Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, prej të cilëve 32 inspektorë fillestarë dhe shtatë mbledhës të borxheve.
Sipas një njoftimi nga ATK, rekrutimi synon rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit, veçanërisht në fushën e inspektimit tatimor dhe mbledhjes së detyrimeve tatimore.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, u ka uruar suksese punonjësve të rinj, duke ua përkujtuar përgjegjësinë e tyre në ushtrimin e detyrave.
“Ju uroj suksese në detyrat tuaja të reja dhe ju përgëzoj për rezultatet e treguara gjatë këtij procesi. Mbi 2,000 kandidatë kanë konkurruar për këto pozita, ndërsa ju tashmë mbani një përgjegjësi të rëndësishme për të dëshmuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin tuaj në shërbim të tatimpaguesve dhe shtetit”, tha Hyseni.
Punonjësit e rinj janë përzgjedhur përmes një procesi publik dhe konkurrues, në të cilin, sipas ATK-së, kanë marrë pjesë 1,887 kandidatë në fazat e vlerësimit.Përzgjedhja është bërë nga një komision i jashtëm, mbi bazën e kritereve të meritës, profesionalizmit, transparencës dhe objektivitetit.
Me rekrutimin e 39 punonjësve të rinj, ATK synon të forcojë kapacitetet në inspektimin tatimor dhe në mbledhjen e borxheve, me qëllim të administrimit më efektiv të detyrimeve tatimore dhe ofrimit të shërbimeve më profesionale për tatimpaguesit.
