Në Beograd e kanë quajtur skandal përzgjedhjen e këngëtares nga Kosova, Albina Kelmendi dhe familjes së saj për ta përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionin ndërkombëtar të këngës, Eurovision Song Contest.
“SKANDAL! Shqipëria shkel rregullat e Eurovision Song Contest, publiku është tmerruar: NJË PËRFAQESUESE E PEJËS KËNDON PËR VENDIN e rremë TË KOSOVËS!”. Ky është titulli i tabloidit serb, “Alo” të dielën.
Ende nuk ka nisur gara për këngën më të mirë të Eurovizionit dhe mediumi serb shkruan se “tashmë Shqipëria ka krijuar një skandal që tmerroi publikun”.
Sipas këtij mediumi, fituesi u përcaktua nga votat e publikut dhe se në votim, përveç banorëve të Shqipërisë, morën pjesë edhe banorët e Kosovës.
“Ajo që është veçanërisht skandaloze në gjithë situatën është se në këngë Albina këndon për të ashtuquajturën Kosovë, prej nga është”, pretendon “Alo”.
Duke qenë se vjen nga Peja, mediumi serb thotë se ajo i ka shkelur “rregullat rreptësisht të përcaktuara të Eurovizionit”.
Finalja e madhe e Festivalit të Këngës u mbajt në “Pallatin e Kongreseve” në Tiranë. Albina dhe familja Kelmendi u zgjodhën për ta përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e radhës të Eurovisionit, i cili do të mbahet në Liverpool.