4.7 C
Pristina
Thursday, March 30, 2023

Fillojnë punimet në qendër të Prishtinës, vitin tjetër kjo pjesë bëhet shesh

Rekomandime

Punimet që kanë filluar në Bulevardin “Xhorxh Bush”, janë vetëm një fillim për sheshin e madh i cili do të bëhet në kryeqytet.

Kështu thotë nënkryetari i komunës, Alban Zogaj. Megjithatë ai ka bërë të ditur se kjo rrugë do të hapet me 8 janar, për të filluar me procedurat e prokurimit për shesh.

Bulevardi “Xhorxh Bush” në Prishtinë, tashmë ka marrë një pamje tjetër. Në të dy anët e rrugës, janë vendosur shtëpizat e fundvitit ndërkohë që komuna ka filluar përgatitjet edhe për elemente të tjera që do të vendosen aty. Aktualisht, komuna ka filluar largimin e trotuarit në mes të rrugës, e për të cilat nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, ka konfirmuar për Radio Kosovën se ato janë një përgatitje për sheshin e madh.

“Komuna ka filluar ta largojë mesin e rrugës, duhet edhe për festime të fundvitit, por në anën tjetër, përgatitet tutje edhe për sheshin e madh i cili do të jetë deri te katedralja në një të ardhme të afërt. Kjo është edhe një test i mirë sesi do të funksionojnë komunikacioni gjatë kësaj periudhe festive”, ka theksuar Zogaj për Radio Kosovën.

Ai thotë se ashtu siç është planifikuar, rruga do të hapet për vetura me 8 janar, por që do të hapen procedurat e prokurimit për të vazhduar projektin madhor të sheshit.

“Për t’u finalizuar ky projekt duhet të fillojnë procedurat e prokurimit, sepse ai projekt ka kosto dhe duhet të planifikohet. Kjo do të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm, në mënyrë që finalizimi i projektit si tërësi do të zgjasë gjatë verës deri në vjeshtën e vitit 2023”, ka shtuar ai.

Ndryshe, që nga 26 nëntori deri me 8 janar 2023, Bulevardi “Xhorxh Bush” do të jetë e mbyllur për qarkullim veturash, meqë komuna e ka shndërruar në ambient festiv për fundvit.

Më shumë artikuj

Të fundit