4.7 C
Pristina
Thursday, March 30, 2023

Krerët e shtetit serb në front kundër Rada Trajkoviqit

Rekomandime

Paralelisht me betejën që po e bëjnë me Kosovën, zyrtarët më të lartë në Serbi po e luftojnë Rada Trajkoviqin. Vuçiq i cili nuk ia përmend shpesh emrin, Bërnabiq, Gjuriq, Petkoviq, Sheshel e shumë të tjerë e përcjellin vëmendshëm secilën fjalë a veprim të Trajkoviqit dhe i përgjigjen secilës shkronjë që ajo e shkruan. Politikania serbe thotë se ajo dhe fëmijët e saj po marrin edhe kërcënime ndërsa përgjegjës për sigurinë e saj e konsideron Aleksandar Vuçiqin.

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Kosova që kundërshton pushtetin e Aleksandër Vuçiqit në Serbi, thotë se po kërcënohet. Të hënën këshilltarja e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Kosovë e emëruar së voni në këtë pozitë, ka njoftuar se përveç saj, po kërcënohen edhe fëmijët e saj dhe për këtë përgjegjës e bën Presidentin e Serbisë.

“Një tjetër njoftim për publikun: që nga dje kanë ardhur kërcënime jo vetëm për mua, por edhe për fëmijët e mi”, ka shkruar Trajkoviq në Twitter.

“Le të shkruhet këtu: përgjegjësia e plotë për sigurinë e familjes sime dhe të vetes është e Presidentit të Serbisë”, shkroi Trajkoviq.

Gazeta Express ka pyetur autoritetet kosovare nëse është hetuar se kush janë kërcënuesit e Trajkoviqit dhe nëse asaj i është ofruar mbrojtje e afërt, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk ka marrë përgjigje.

Trajkoviq është personazhi me të cilën merren intensivisht zyrtarët më të lartë të Serbisë, vartësit e Vuçiqit. Madje, edhe më shumë se me Nenad Rashiqin, që u bë ministër i Kosovës, pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria.

Trajkoviq beson se të gjitha sulmet ndaj saj, e kanë urdhërdhënës presidentin e Serbisë. Atij i është drejtuar sërish këtë të hënë duke i thënë, “më kot përpiqesh të më trembesh”.

“Më kot ju zgjoni edhe ‘të fjeturit’ brenda opozitës në përpjekje për të më diskredituar. Unë jam në anën e duhur. Serbët në Kosovë duhet të heqin qafe kriminelët”, ka shkruar Trajkoviq.

Marko Gjuriq, tani ambasador në Uashington e dikush shef i të ashtuquajturës “zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, ka një histori të konfliktit me Trajkoviqin.

Edhe së fundmi ai dhe politikania serbe kanë pasur replika me njëri-tjetrin. Gjuriq e ka quajtur Trajkoviqin “punëtore të Kurtit”.

Ndërkaq Trajkoviq ndiqet vëmendshëm edhe nga pasuesi i Gjuriqit, shefi i tanishëm i të ashtuquajturës “zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq.

Javën e kaluar në Kosovë është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq nën dyshimet se organizoi sulm ndaj autoriteteve të Kosovës. Petkoviq ka shkruar se Trajkoviq nuk po e përmend fare arrestimin e ish-policit, ndërsa ia ka numëruar ditët e mosreagimit për konfiskimin e mijëra litrave verë të një biznesmeni të fshatit Hoçë e Madhe.

“Pas tri ditësh, Rada Trajkoviqit iu kujtua Serxhan Petroviqi nga Hoça e Madhe dhe çfarë tha, më mirë të mos e kishte thënë. Ajo thotë t’ia kthejnë verën e konfiskuar, ndërsa ata i kanë përzier 25 lloje verërash në një cisternë të pistë. Le t’ia kthejnë atë asaj! Shteti do ta ndihmojë Serxhanin, jo në Tëitter, por me të vërtetë”, ka shkruar Petkoviq.

Trajkoviq kishte shkruar se shteti i Kosovës duhet t’ia kthejë litrat me verë të konfiskuara qytetarit nga Hoça e Madhe, duke thënë se mund të ketë qenë një keqkuptim, pasi, sipas saj, Serxhan Petroviq është ndër të paktët biznesmenë të pavarur serbë në Kosovë, i përkushtuar në kultivimin e verës.

“Shkelja duket se është pasojë e mosaktivitetit të kompanisë gjatë krizës së Covid. I bëj thirrje institucioneve të Kosovës që të kthejnë pronën e sekuestruar dhe ta zgjidhin situatën duke paguar gjobën me marrëveshje”, kishte shkruar Trajkoviq.

Politikania serbe nuk tërhiqet, as pas linçimeve publike që ia bëjnë vartësit e Vuciqit. Trajkoviq, në një intervistë për Danas shtroi pyetjen se a janë barrikadat në veri të Kosovës abuzim i njerëzve nga ana e Beogradit për t’i mbrojtur vrasësit e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit. Ajo thotë se qytetarët serbë janë të detyruar t’i bllokojnë rrugët.

Trajkoviq avokon për kapjen e vrasësve të Ivanoviqit, që sipas saj, mbrohen nga Vuciqi.

Për akuzat e Trajkoviqit për vrasjen së Ivanoviqit ka folur edhe kryeministrja Ana Bërnabiq. Sipas saj, ato që i thotë Trajkoviq “nuk do t’i thoshte as Kurti”.

“Ajo tha se serbët e vranë Oliver Ivanoviqin, as Kurti nuk do të thoshte gjëra të tilla. Çfarë lloj të vjellash nxjerr nga goja dhe gjithçka është në rregull dhe e pranueshme për të. E shqetëson kur Vuçiq thotë “Kurti i gjeti njerëzit nga fundi i vaskës”, pra çfarë duhej të thoshte: nga maja e vaskës? Ata janë atje diku, në atë vaskë, qoftë poshtë apo nga lart… Për sa i përket Trajkoviqit dhe Nenad Rashiqit, ata kanë imazhin të përfaqësojnë serbët me 1500 vota? Është turp, por Kurti gjeti në ta bashkëpunëtorë seriozë.”

Ndërsa, emrin e saj me të Ivanoviqit, që u vra në vitin 2018 në Mitrovicën e Veriut, e ka lidhur edhe politikani radikal serb, Vojslav Sheshel, i dënuar për krime lufte.

Një deklaratë e tij e javëve të fundit, ku thoshte se Trajkoviqin mund ta gjente fati i njëjtë si Ivanoviqin, është parë si kërcënim publik ndaj saj.

Rada Trajkoviq udhëheq partinë “Lëvizja Evropianë për Serbët e Kosovës”. Ajo ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës dhe së fundmi mban pozitën e këshilltares së ministrit Rashiq. Edhe pse pjesë e Qeverisë që drejtohet nga Kurti, Trajkoviq nuk përmbahet as ndaj tij /Express/

Më shumë artikuj

Të fundit