Mediumi serb, pro-regjimit të Vuçiqit, N1, sot gjatë ditës ka raportuar rreth vendosjes së gjashtë obuseve të ushtrisë serbe 2 kilometra pranë kufirit me Kosovën.
I njëjti televizion, para pak çastesh ka raportuar se këto obuse (topa ushtarakë) janë kthyer në kazermë.
Në artikullin e publikuar mësohet gjithashtu se të pranishëm në Rashkë kanë qenë edhe Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe Gjenerali i Ushtrisë, Milan Mojsiloviq.
Vuçeviq ka deklaruar se ushtarët po marrin instruksionet që kanë ardhur nga lartë, e që me gjasë tashmë janë pjesë e propagandës së përditshme të Vuçiqit.
Në anën tjetër, Mojsiloviq, dje në një deklaratë dhënë TV Pink ka shtuar se pas takimit me Këshillin e Sigurisë, është nisur për në bazën ushtarake, ndërsa ka shtuar se do t’i zbatojë direktivat nga hierarkia më e lartë shtetërore.
Kujtojmë këtu se, gjithnjë sipas mediumit pro-regjimit të Vuçiqit, TV Pink, ambasadorët e vendeve të QUINT-it i kanë dhënë ultimatum 24-orësh presidentit serb për heqje të barrikadave, ndryshe Kurti do ta ketë “dritën e gjelbër” për ta bërë atë.