Shtatë vjet pas themelimit, Gjykata Speciale ka shqiptuar sot dënimin e parë për krime lufte. Ish-pjesëtari i UÇK’së, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Para Mustafës, Specialja ka dënuar për pengim të administrimit të drejtësisë ish-krerët e OVL e UÇK’së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajt. Për ish-krerët e tjerë të UÇK’së, që po mbahen në paraburgim në Hagë, gjykimi pritet të fillojë në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.
“Në emër të popullit të Kosovës”, Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burgim ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën. Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Mustafa u shpall fajtor për veprat: ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Në këtë dënim, Mustafës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.
Këtë vendim të Speciales, e mirëpriti Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Alex Whiting, i cili tha se aktgjykimi i sotëm përbën fitore për drejtësinë, në veçanti “për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre”.
“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarë të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në zemër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të Z. Mustafa,” , ka deklaruar Whiting.
Sipas Whiting, me këtë vendim, Dhomat e Specializuara treguan se “nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë”.
“Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë,” përfundoi Ëhiting.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuar, vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.
“Transferimi i personit të dënuar në atë shtet bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme pasi të ketë kaluar afati për dorëzimin e një apeli, apo pasi vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë. Deri në finalizimin e përgatitjeve prej Administratorit për transferimin në shtetin ku do të kryhet dënimi, i dënuari mbahet në paraburgimin e Dhomave të Specializuara”, thuhet në Rregulloren e procedurës dhe provave të këtij institucioni.
Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale, më 24 shtator të vitit 2020.
Procesi gjyqësor ndaj tij ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.
Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.
Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.
Kush akuzohet tjetër për krime lufte?
Me akuza për krime lufte po përballen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.
Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta, derisa po vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë.
Gjykimi ndaj tyre pritet që të fillojë në çerekun e parë të vitit 2023.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, ka thënë se ende s’ka ndonjë afat të caktuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake për transferimin e lëndës tek trupi gjykues dhe si rezultat i kësaj nuk dihet saktësisht se kur mund të fillojë procesi i gjykimit.
“Përderisa gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar afate për t’u siguruar që të gjitha palët të përgatiten shpejt për gjykim, deri më tani ai nuk ka caktuar një datë të saktë se kur synon t’ia transferojë dosjen e lëndës trupit gjykues. Vetëm pasi ta bëjë këtë do të dimë saktësisht se kur mund të fillojë gjyqi”, ka thënë Griep për Express.
Por, Griep thotë se në bazë të një vendimi publik të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake parashikohet që dosja e lëndës mund të jetë gati për t’iu dorëzuar trupit gjykues deri në fund të këtij viti, e që nënkupton se procesi i gjykimit mund të fillojë në çerekun e parë të vitit 2023.
“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake ka treguar në një vendim publik se ai ka parashikuar që dosja e lëndës mund të jetë gati për t’iu transmetuar trupit gjykues deri në fund të vitit që do të thotë se gjykimi mund të fillojë gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Griep.
Griep gjithashtu ka konfirmuar se do të jetë një proces i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe s’ka indikacione se mund të ketë ndonjë ndarje.
Dënimet e para Specialja i dha për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn
Dënimet e para, Gjykata Speciale i ka shqiptuar në muajin maj të këtij viti, kur dënoi Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).
Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe gjobë prej nga 100 euro.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.
Themelimi i Speciales dhe skandali i rrjedhjes së dokumenteve
Gjykata Speciale është themeluar me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në gusht të vitit 2015.
Gjykata u ngrit në bazë të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe si e tillë, konsiderohet si e Kosovës. Megjithatë, askush nga Kosova s’lejohet të ketë dorë aty. Në atë tribunal, si kosovar mund të shkosh vetëm si i akuzuar, dëshmitar, viktimë ose avokat.
Edhe sipas ligjit me të cilin u themelua, Specialja gëzon përparësi mbi të gjitha gjykatat tjera në Kosovë. Pra, edhe nëse mund të konsiderohet e Kosovës, nuk është e barabartë me gjykatat tjera në Kosovë. Selia e saj është në Hagë të Holandës.
“Brenda juridiksionit lëndor të tyre, Dhomat e specializuara kanë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera të Kosovës”, thuhet qartë në pikën një të nenit 10 të ligjit për Specialen, edhe pse paraprakisht thuhet se Dhomat e Specializuara janë “pjesë përbërëse e çdo niveli të sistemit të gjykatave në Kosovë”.
Sipas pikës vijuese të këtij neni, në çdo fazë të hetimeve ose procedurave, Gjykata Speciale ose prokurori i specializuar mund të urdhërojnë transferimin e procedurës brenda juridiksionit të tyre nga ndonjë prokuror tjetër ose ndonjë gjykatë tjetër [përveç Gjykatës Kushtetuese] në territorin e Kosovës.
Ka disa arsye pse kjo gjykatë nuk përjetohet si vendore në Kosovë dhe kjo jo vetëm për faktin se s’është këtu. Besueshmërinë e kësaj gjykate më së shumti e ka dëmtuar rrjedhja e dokumenteve në vitin 2020, kur po përgatiteshin aktakuzat e para. Ato ishin dërguar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati u arrestua e më pas u dënua bashkë me nënkryetarin Nasim Haradinaj, për shkak e kishin vënë atë material në disponim të njerëzve në disa konferenca për shtyp.
Në qendër të kritikave ishin edhe proceset e stërzgjatura paragjyqësore e shkresat e Prokurorisë.
Gjithashtu, në Kosovë vështirë se dikush pret që kjo gjykatë do t’i gjykojë të gjitha krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera që janë kryer midis janarit të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, pavarësisht se kush ka qenë autor i tyre – siç premton Specialja – edhe pse ligji me të cilin u themelua e detyron që të mos i gjykojë vetëm shqiptarët.
Në Gjykatën Speciale në Hagë thonë se s’do të gjykohen veç shqiptarët. Megjithatë, atje punojnë jo pak për ta fituar besimin e humbur në Kosovë. Për këtë, një ekip informues i kësaj gjykate udhëton pothuajse çdo muaj drejt Kosovës për t’u takuar me komunitete të ndryshme në vend. Ata shpjegojnë mandatin dhe punimet e institucionit./Gazeta Express