1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

30-vjeçari nga Skenderaj, doktor i tri diplomave universitare në Danimarkë

Rekomandime

I riu shqiptar, Endrit Murtezaj, është mjek në Danimarkë. Ka përfunduar me sukses studimet e larta për mjekësi në Universitetin e Kopenhagës. Tani ushtron profesionin e tij si mjek kirurg në qytetin Horsens.

Endriti, një djalë i thjeshtë e komunikues. Që në paraqitjen e parë përçon anë pozitive, qoftë në sjellje, në formimin intelektual, profesional dhe etik, qoftë në qëndrimet e tij dhe, para së gjithash, në të menduar.

- Advertisement -

Ai tregon për revistën Albinfo.ch lidhur me studimet e tij dhe punën si doktor, jetën, sfidat, migrimin dhe ambiciet e tij për të ardhmen.

“Kam lindur në Mitrovicë, më 1992, por prejardhjen e kemi nga Skenderaj. Në Danimarkë jetojmë me familjen për më shumë se 22 vjet. Fillimisht prindërit zgjodhën të migrojnë në Gjermani dhe pas disa vjetësh u vendosëm në Danimarkë. Arsyeja ishte që ne fëmijët të arsimohemi, për kushte dhe jetë më të mirë”, shprehet ai.

Pavarësisht se emigrimi i familjes Murtezaj nuk ishte i lehtë, qëllimet dhe synimet e dy prindërve ishin më të mëdha se sa vështirësitë që ata po i kalonin. “Rruga e familjes time për të arritur në Danimarkë ishte e gjatë dhe e vështirë, me shumë sfida, por ne kemi pasur vullnet dhe guxim në familje për t’i kaluar të gjitha në mënyrën më të mirë të mundshme”, tregon Endriti.

- Advertisement -

Shpeshherë ambientimi në një vend e kulturë tjetër është i vështirë, por për Endritin nuk ishte fare.

“Nuk ka qenë kurrë problem të mësohesha me kulturën daneze dhe shokët e mi danezë. Unë kam qenë shumë i hapur me traditat daneze dhe kulturën e tyre, por gjithmonë e kam ruajtur dhe kujtuar prejardhjen time shqiptare. Për mua është e rëndësishme që mund të jem në të dyja kulturat dhe deri tani kjo nuk më ka paraqitur probleme në jetë”, thotë Endriti.

- Advertisement -

“Edhe pse kam pasaportën daneze, kam prejardhje shqiptare, siç e tregon dhe emri im. Gjithmonë kam thënë se jam krenar që jam shqiptar. Mendoj se është e rëndësishme të jesh person që nuk ndryshon dhe përgjithësisht mendoj se danezët janë shumë miqësorë, mikpritës dhe mirëkuptues”, thotë Endriti.

8 vjet studime dhe 3 diploma në universitetet daneze

Endritit iu deshën plot tetë vjet studime, pa u ndalur, për tu shpërblyer me tri diploma në Universitetet e Danimarkës.

“Gjithmonë më kanë mësuar prindërit për rëndësinë e shkollës. Në shkollën e mesme duheshin nota të mira për të hyrë në shkollën e mjekësisë, e dija se duhej punë e vështirë. Pas 3 vjetësh në shkollë të mesme, erdha në Universitetin në “Aalborg” në Danimarkë, ku studiova “Mjekësinë Industriale” për 3 vjet nga viti 2013 deri në 2016 dhe mora “Bachelorin” tim të parë këtu “BSc, Medicine with Industrial Specialisation”, bën të ditur ai.

Ky sukses nuk i mjaftoi Endritit, sepse menjëherë pasi diplomoi, ai konkurroi dhe u pranua në Universitetin e Kopenhagës, njëri nga universitetet me renome botërore.

“Pas diplomimit, u pranova në mjekësi në Universitetin e Kopenhagës në Danimarke “University of Copenhagen”, ku mora diplomën e dytë “Bachelor” në mjekësi “BSc Bachelor of Medicine, Bachelor of Surgery”.”

Masteri ishte në synimet e radhës për Endritin dhe në vitin 2018 ai u bë magjistër i mjekësisë.

“Në vitin 2018 përfundova masterin në mjekësi dhe u bëra mjek në verën e vitit 2021. Ishte emocion i madh si për mua, ashtu edhe për familjen time, sidomos kur e shikoja që babi im ishte krenar”, tha ai.

Vite më parë, Endriti, kur ishte student, ka punuar në Departamentin e Kirurgjisë, në një nga spitalet më të specializuara në Danimarkë, i quajtur “Rigshospitalet”. Endriti gjatë kësaj kohe fitoi shumë njohuri, duke qenë pjesë e shumë operacioneve të vështira me sëmundje gastrointestinale.

Tani ai punon në një spital në qytetin Horsens në Danimarkë.

“Aktualisht jam duke punuar në një spital në qytetin Horsens në Danimarkë, në Departamentin Kirurgjik. Përmes një viti punësimi këtu, më duhet të mësoj dhe të punoj me kushte kirurgjikale, si kirurg dhe të marr pjesë në operacione, për shembull për heqjen e apendiksit (“zorrës qorre”), në mënyrë laparoskopike si dhe me procedura të tjera intra-abdominale, pastaj në urgjencë etj”, tregon Endriti.

Planet e së ardhmes në fushën profesionale

Endriti tregon se sistemi në Danimarkë është ndryshe se kudo në botë për profesionin e mjekësisë. Ai tregon se planet e tij për të ardhmen në fushën profesionale janë për kirurgji.

“Në Danimarkë, sistemi është pak më ndryshe se kudo në botë si mjek. Këtu është mundësia të provohen disa specializime dhe në fund, të zgjidhet ajo që doni për krejt jetën. Meqë tani jam shumë i zënë me kirurgji, mendoj se “atmosfera” (puna) në sallën e operacionit është e mirë. Tani për tani jam duke punuar me sëmundje gastrointestinale, në të ardhmen do të doja të punoj edhe me sëmundjet e syve dhe ndoshta një ditë të bëhem kirurg i syve. Unë jam ende i hapur për shumë mundësi, për momentin fokusi im është të bëhem një mjek i mirë, të shëroj pacientët e mi dhe të bëj një fillim të mirë në jetën time si mjek”, shprehet për Albinfo.ch Endriti.

Por jo vetëm kaq. Endriti në një të ardhme shpreson të ndihmojë edhe vendin e tij të lindjes në fushën e mjekësisë. “Shpresoj që në të ardhmen të jem në gjendje ta ndihmoj atdheun tim, Kosovën, në këtë fushë që unë po e ushtroj tani”.

Ndërkohë, pasi Endriti u bë mjek dhe ishte duke e shijuar suksesin e tij, ai përjetoi një situatë jo të mirë me humbjen e babait të tij, për të cilin, e theksoi disa herë gjatë intervistës, se ishte shtylla kryesore dhe krahu i tij i djathtë.

“Menjëherë pasi u bëra mjek, pas momentit më të mirë të jetës time, erdhi momenti më i keq që unë dhe familja ime nuk e kishim imagjinuar ndonjëherë. Babi im i dashur u sëmur shumë rëndë dhe ndërroi jetë pas një kohe të shkurtër. Ai ishte faktori im më i madh motivues për të arritur këtu ku jam sot. Ai ishte punëtor, i zgjuar dhe mbi të gjitha një baba i mirë”, tregon i emocionuar i riu shqiptar.

Deri sa Endriti tregon sakrifica që prindi i tij kishte kaluar, vetëm që fëmijët e tij të jenë të suksesshëm, ai me lot për të thotë se “përjetësisht jam mirënjohës për çdo gjë që ka bërë për ne. Unë dhe babi im kishim një ëndërr të përbashkët, ajo ëndërr u realizua kur u bëra mjek dhe më vjen mirë që ai arriti ta përjetojë këtë realitet me mua dhe gjithë familjen. U prehtë në paqe, do të më mungojë gjithmonë”, shprehet i emocionuar Endriti.

Dashuria e Endritit për Kosovën dhe mesazhi motivues për rininë shqiptare

Sikur të gjithë mërgimtarët që kanë mall për vendlindjen, edhe Endriti është shumë i lidhur me Kosovën. Ai tregon se është krenar për vendin e tij dhe se e viziton çdo vit.

“Kosova është vendlindja ime. Kosova është vendi ku mund të gjej hapësirën time të lirë, aty mblidhet familja ime dhe unë përpiqem ta vizitoj 1-2 herë në vit, siç kam bërë gjithmonë. Mendoj se është e rëndësishme të mbahet në mend se nga vijmë dhe të jemi gjithmonë krenarë për atë që jemi. Jam krenar që jam shqiptar, e dua vendin tim, popullin tim dhe shpresoj që çdo vit të ndodhin iniciativa të reja që e bëjnë vendin edhe më tërheqës në të ardhmen”, tregon ai.

Nëse punoni, do t`ia dilni

I pyetur nga albinfo.ch, për një mesazh drejtuar rinisë shqiptare, veçmas për ata që janë duke studiuar për mjekësi, Endritit thotë: “Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë është që të luftojnë gjithmonë për atë që e dëshirojnë, edhe pse mund të duket e vështirë, mund t’ia dalin. Besoni në aftësitë tuaja dhe besoni në veten tuaj. Ju mundeni! Ndërkaq për kolegët e mi të ardhshëm mjekë shqiptarë, kam një apel që duhet të qëndrojmë së bashku, të krijojmë një rrjet të përbashkët si akademikë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Shpresoj që në të ardhmen të ketë një forum, ku të mund të ndajmë histori, ide dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në jetën si mjekë”, përfundoi Endriti.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit