Kryetari i Kuvendit të Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi, ka thënë se partia e tij pritet të jetë në opozitë gjatë legjislaturës së shtatë – nëse konfirmohet se e ka kaluar pragun në kuadër të koalicionit me Nismën Socialdemokrate.
Ai ka deklaruar se subjekti politik që përfaqëson nuk pëlqen të bëhet pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës të vendit.
Matoshi ka thënë për “Epoka e re” se qëndrimi në opozitë gjatë mandatit të ardhshëm do t’i mundësojë kësaj partie që t’i bëjë reformat e nevojshme brendapartiake.
Ai është shprehur i bindur se në këtë mënyrë do të rritet përkrahja e qytetarëve të Kosovës për AKR’në, ashtu siç janë duke u fuqizuar partitë liberale në Evropë.