Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave në Malishevë për disa vepra penale. Aktakuza është ngritur ndaj B.Z dhe F.Z, për veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, që të dy kishin mashtruar e shantazhuar një grua.
“I pandehuri B.Z., nga viti 2016 e deri në fund të vitit 2018 në Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e mashtron personin tjetër, të dëmtuarën Sh. G., ku pasi e njëjta kishte probleme familjare, i pandehuri e bind se kinse do ta shërojë ku fillimisht ia përgatit disa hajmali e më vonë edhe të tjera, ku të dëmtuarës i shkakton kështu dëm në vlerë prej 6000 euro”, njofton Prokuroria.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë pa ndërhyrje:
Aktakuzë për mashtrim e shantazh
Gjakovë, 25 nëntor 2019 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave me inicialet B.Z., dhe F.Z., për veprat penale, “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, nga neni 256 paragraf 1 të KPRK-së, “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 paragraf 1 të KPRK-së, “Mashtrimi”, nga neni 323 paragraf 1 të KPRK-së, si dhe, veprës penale “Shantazhi”, nga neni 329 paragraf 1 të KPRK-së.
I pandehuri B.Z., nga viti 2010 e deri më 16.07.2019, në Malishevë, saktësisht në shtëpinë e tij, pa autorizim ligjor, ka kryer aktivitete mjekësore, duke u thirrur si “Mjek popullor me bio energji”, ka trajtuar qytetarë me sëmundje të ndryshme dhe probleme familjare.
Gjithashtu, i njëjti nga viti 2014 e deri më 16.07.2019, në Malishevë, saktësisht në biznesin e tij, duke vepruar si veterinar dhe mjek popullor, gjatë veprimtarisë së tij, me qëllim që ti shmanget tatimit, nuk e ka deklaruar qarkullimin në ATK, ku gjatë kësaj periudhe, ka realizuar të ardhura në vlerë prej 30,216.45 euro, me ç ‘rast buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 2,395.83 euro.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, nga neni 256 paragraf 1 të KPRK-së, dhe “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 paragraf 1 të KPRK-së.
I pandehuri B.Z., nga viti 2016 e deri në fund të vitit 2018 në Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e mashtron personin tjetër, të dëmtuarën Sh. G., ku pasi e njëjta kishte probleme familjare, i pandehuri e bind se kinse do ta shërojë ku fillimisht ia përgatit disa hajmali e më vonë edhe të tjera, ku të dëmtuarës i shkakton kështu dëm në vlerë prej 6000 euro.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Mashtrimi”, nga neni 323 paragraf 1 të KPRK-së.
E pandehura F.Z., në verën e vitit 2018 në Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e kanos të dëmtuarën Sh. G., se do të zbuloj disa mesazhe të motrës së saj, nëse nuk ia dërgon shumën e parave të cilat ajo dëshiron, kështu duke i kërkuar të dëmtuarës 30.000 euro. Pasi e dëmtuara nuk ia dërgon të hollat e kërkuara, të njëjtat mesazhe ia përcjelle burrit të motrës, kinse në lidhje me moralin e gruas së tij.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Shantazhi”, nga neni 329 paragraf 1 të KPRK-së.
Prokurori rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që të pandehurit B.Z., dhe F.Z., të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.