9.1 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Njëvjetori i Ushtrisë së Kosovës, nën ‘tytën’ e presionit ndërkombëtar

Rekomandime

Kosova ende është në pritje të pasojave për formimin e Ushtrisë më 14 dhjetor të vitit 2018. NATO-ja kishte paralajmëruar masa serioze ndaj veprimit të institucioneve të Kosovës. Por, zyrtarët kosovarë e shohin Ushtrinë e Kosovës pikërisht pjesë të Aleancës Veri-Atlantike.

- Advertisement -

Formimi i Ushtrisë, gjeti përkrahjen e Shteteve të Bashkuara, por u kundërshtua ashpër nga Rusia dhe Serbia.

Kjo është një kronologji e disa prej ngjarjeve dhe deklaratave për këtë proces.
5 dhjetor 2018, Paralajmërimet e NATO’s dhe vendosmëria e Kosovës për Ushtrinë

Disa ditë para se Kuvendi i Kosovës të votonte projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës”.

- Advertisement -

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqej “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”. Por, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës deklaruan se do të vazhdojnë me procesin e transformimit.

5 dhjetor 2018, Moska thotë se Ushtria e Kosovës do të ishte ‘shkelje e rezolutës 1244’

- Advertisement -

Planet e Kosovës për ushtrinë, u kundërshtuan ashpër nga Rusia.
“Ky hap do të ishte shkelje e drejtpërdrejtë e Rezolutës 1244, që është dokumenti i vetëm ligjor ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Rezoluta parasheh vetëm vendosjen e trupave shumëkombëshe në rajon, të kontrolluara ndërkombëtarisht”, tha ministria e Jashtme ruse, transmetoi agjencia TASS.

6 dhjetorë, Kosnett: Transformimi i FSK’së në Ushtri, hap pozitiv dhe i natyrshëm

Si rëndom, atë që e kundërshton Rusia në raport me Kosovën, përkrahet nga Shtetet e Bashkuara. Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë në një intervistë për transmetuesin publik se Uashingtoni ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur.

“SHBA-ja ka investuar shumë para, kemi kaluar shumë kohë në trajnime, kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse”, ka thënë ai.
12 dhjetor 2018, Gjenarali Amerikan i NATO’s: Transformimi i FSK’së është vendim sovran i Kosovës

Derisa kreu i NATO-s është shprehur kundër transformimit të FSK-së, komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, James Foggo, ka thënë se ky është një vendim sovran, që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës. “Kosova është shtet demokratik, siç është edhe Serbia.

Në demokraci, ju zgjidhni njerëz që do të marrin vendime në emrin tuaj. Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës është një vendim sovran që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës”, ka thënë ai.

13 dhjetor 2018, Qytetarët, mirëpresin formimin e ushtrisë
Dy ditë para se Kuvendi i Kosovës të mbajë seancën për votimin e transformimit të FSK-së, qytetarët “duartrokasin” qëndrimin e SHBA-së për FSK-në. Një përmbledhje e reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale është transmetuar në Hashtag – rubrikë e përjavshme e Radios Evropa e Lirë.

14 dhjetorë 2018, Kosova formon Ushtrinë

Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime, për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.
Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

14 dhjetor 2018, BE’ja ka qëndrim të njëjtë me NATO’n për FSK’në

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se BE-ja e ndan mendimin e njëjtë me NATO-n që mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndërrohet vetëm përmes procesit gjithëpërfshirës dhe gradual, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë t’i mbajë obligimet e veta që dalin nga Marrëveshja e Parë, që është arritur në prill të vitit 2013 në Bruksel, si dhe aranzhimeve të saj të sigurisë”, ka theksuar Kocijançiq.
14 dhjetor 2018, zyrtarët serbë: ditë e rendë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se për të është “një ditë e rëndë”, porse Serbia do ta vazhdojë rrugën e paqes.

Deklaratën e tillë, Brnabiq e ka bërë duke e komentuar vendimin e autoriteteve të Prishtinës për transformimin në Ushtri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vendim ky i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës. “Për mua kjo është ditë e rëndë.

Nuk është ditë që i kontribuon bashkëpunimit në rajon”, ka thënë Bërnabiq për mediat serbe.
15 dhjetor 2018, QKSS: Transformimi nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në një raport të publikuar thotë se tranzicioni i FSK-së në Ushtri, nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm përderisa është një proces që do t’i marrë 7 deri në 10 vjet.

“Ndërtimi i kapaciteteve të saj, sigurisht se pritet të bëhet bazuar në mbështetjen bilaterale të shteteve përderisa NATO-ja, ashtu sikurse në rastin e mandatit aktual, ka një hapësirë shumë të ngushtë veprimi për shkak të mungesës së konsensusit”, theksoi QKSS-ja.

17 dhjetor 2018, Shtetet e BE’së në KS të OKB’së: Ushtria e drejt sovrane e Kosovës
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë, që procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, shtetet e BE-së, në Këshillin e Sigurimit: Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se nisja e transformimit të FSK-së, përmes miratimit të tri ligjeve nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor, është një “e drejtë sovrane” e Kosovës.

3 janar 2019, Sërish reagon Stoltenberg: Vendimi për Ushtrinë u mor në kohë të gabuar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përsëriti se vendimi për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri është bërë në kohë të gabuar. “Edhe pse në thelb çështja e transformimit të Forcave të Sigurisë është çështje në të cilën Kosova duhet të vendosë, ne e kemi bërë të qartë se ky veprim, po bëhet në kohë të gabuar. NATO-ja mbështet zhvillimin e Forcave të Sigurisë në kuadër të mandatit aktual. Me ndryshimin e mandatit, NATO duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit të saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Stoltenberg.

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u betuan 337 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga ky numër, 22 u përkasin komuniteteve jo shumicë: serbë, boshnjakë, turq dhe RAE (Rom, Ashkali dhe Egjiptianë).
“Diversiteti në radhët tona është një vlerë që ne e çmojmë çdo ditë”, tha ministri i Mbrojtjes në dorëheqje i Kosovës, Rustem Berisha. Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se rekrutët e rinj janë pjesë e Ushtrisë më të re në botë.

“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, e zhvilluar në partneritet me NATO-n”, tha Veseli.

19 nëntor 2019, NATO: Pasoja do të ketë, por ende jemi në fazën e diskutimeve

Lidhur me masat e paralajmëruara nga NATO-ja për bashkëpunimin e ardhshëm me FSK-në, pasi institucionet e Kosovës miratuan ligjet për transformimin e saj në ushtri, zëvendësndihmësi i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe të Sigurisë, James Appathurai, thotë se kjo çështje ende po diskutohet brenda NATO-s, mirëpo shpreh sigurinë se pasoja do të ketë. “Ne duhet ta diskutojmë këtë pak më shumë dhe unë jam pothuajse i sigurt se do të ketë disa pasoja, por ende nuk kemi arritur deri aty”, ka thënë Appathurai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit