3 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Si e poshtëroi Edi Rama gjithë Kosovën për të kënaqur Aleksandër Vuçiç!

Rekomandime

24 Marsi 1998 është një datë e paharruar në memorien e Aleksandër Vuçiç. 27 vjeçari i atëhershëm u spikat nga Sllobodan Millosheviç si zgjedhja ideale për Ministër të ri të Propagandës.

Nacionalist ekstrem, besnik i bindur dhe me dukjen e brishtë e rioshe plotësonte kushtet maksimale për një dezinformim të realitetit kriminal e shfarosës të drejtuar prej tij. Pikët maksimale si ekstremist, Aleksandër Vuçiç, i kishte fituar në Korrikun e 1995, fiks në periudhën kur ndodhi Masakra e Srebrenicës kur deklaroi publikisht: “Për çdo serb të vrarë ne do të vrasim 100 muslimanë”!

 

- Advertisement -

Ditën që Aleksandër Vuçiç u rehatua në zyrën e re, pra më 24 Mars 1998, makineria luftarake serbe me tanke e autoblinda sulmoi kullën e Haradinajve në Gllogjan. Ministri i ri, me gjasë ishte në zyrë atë natë, deri vonë, me shpresën se do i jepte publikut lajmin e madh, shfarosjen e kryeterrosristit Ramush Haradinaj dhe spastrimin përfundimtar të Kosovës nga terroristët. Por lajmet nga terreni vinin negative për forcat serbe. Ata lanë disa të vrarë, shumë municion e logjistikë në duart e “terroristëve” të sulmuar.

Ky ishte një “shok” për Gëbelsin millosheviçian, një tronditje e madhe që e bëri ta mbajë mend gjatë atë datë.

- Advertisement -

Qysh nga ajo ditë, nëpër filtrin e tij kaloi çdo lajm nga terreni, nga ai u manipulua çdo lajm për vrasje civilësh, çdo përdhunim, çdo vrasje fëmije, çdo varr masiv. Ai ishte prodhuesi i çdo lajmi dezinformues të RTS (Radiotelevizionit të Serbisë), stacionit me manipulues botëror të së vërtetës. Ia arriti të krijojë një realitet inekzistent, paralel me të vërtetën, derisa gjithçka i doli nga duart. William Wolker, më 15 Janar 1999, zbuloi 54 civilë të vrarë në masakrën e Raçakut dhe dha intervistën në Euroneës.

Aq shumë e ka trondituar zbulimi i asaj ngjarje Vuçiçin 27 vjeçar, sa, edhe sot, 20 vjet pas saj deklaron se ajo ngjarje ishte falsifikim i amerikanëve!

- Advertisement -

Deklarata e tanishme e Vuçiç për Masakrçn e Raçakut nuk është thjesht një fyerje nga goja e vrasësit për familjarët e viktimave. Ajo dekonspiron bindjen që ka ky njeri në forcën e falsifikimit! Nëse ky beson se 54 të vrarë mundet të falsifikohen, atëherë, me siguri e ka nga përvoja personale e atyre ditëve. Ky është një mësim i madh. Ai beson se mund të vrasësh 54 njerëz dhe t’ua vësh këtë vepër të tjerëve.

Mjafton kjo deklaratë e tij për të kuptuar që Aleksandër Vuçiç është po i njëjti kriminel lufte i viteve 1998-2000.

Nëse Haga do të ishte Nuremberg, Aleksandër Vuçiç do ishte dënuar për genocid menjëherë pas shefit të tij të drejtpërdrejtë, Millosheviç. Sot do të ishte duke vuajtur dënimin jo duke udhëhequr demokracinë e Serbisë e të Shqipërisë bashkë. Por Haga u mor me kriminelët e terrenit jo me urdhëruesit apo falsfikatorët e të vërtetave. Bashkë me Millosheviçin vdiqën edhe të vërtetat gjakatare të falsifikuara nga Aleksandër Vuçiç.

Ky njeri erdhi para tre ditëve në atdheun e dytë të shqiptarëve të Kosovës, i pritur me tamtame e fanfara që ishin parë vetëm kur këtë vend e kishte vizituar Hrushovi apo George Bushi. Për të respektuar këtë falsifikator, këtë genocidist, këtë kriminel lufte, Kryeministri ynë nuk e përmendi fare mohimin e masakrës së Raçakut. Mundet që edhe Gent Cakaj, Ministri i Jashtëm në detyrë, që u deklarua në Twiterin e tij personal, të ketë hëngër dajak për epitetet që i veshi “Mysafirit të Madh” nga Serbia. Një gazetare u përqesh si një fëmijë kopshti pse e pyeti Kryeministrin për ndjesën e munguar të “Mysafirit të Madh” për krimet serbe në Kosovë. Kjo sipas Kryeministrit tonë është një “pyetje patetike”. Pra ka patos patriotik brenda. Nënteksti ishte se nuk ka nevojë tashmë për ndjesë, kjo gjë është e tejkaluar. Sepse Edi Rama e vendos kur duhet të tejkalohet dhimbja njerëzore e vrasjeve masive, të vdekurve pa varr, fëmijëve të vrarë, të përdhunuarave.

Në konkluzionet e takimit të Ohrit, para pak kohësh, Edi Rama iu hakërrye udhëheqësve të Kosovës për mospjesëmarrjen në takim, me të njëjtin ton që i drejtohet mësuesja e klasës së parë nxënësve zhurmaxhinj. Mundet edhe një shpullë do t’ua kishte dhënë kur t’i takonte. “Mysafiri i Madh” dëgjonte dhe këndellej. Ramush Haradinajn, armikun kryesor të Serbisë së genocidit, e quajti të paditur klasik dhe gënjeshtar.

Aleksandër Vuçiç pati një gaz të veçantë nga kjo sharje. Iu kujtua ajo ditë e tmerrshem e 24 Marsit 1998 kur ushtria serbe u zbyth me turp e të vrarë nga Kulla e Haradinajve. I gjithë marazi i asaj dite iu kthye në lumturi. Atë që nuk ta bën arma e armikut ta bën fjala e mikut.

Kjo e mikloi “Mysafirin e Madh” të bënte edhe cinikun : “U mërzita me mikun tim Edi që gjithmonë mbrohet. Pse duhet të mbrohet, nga çfarë duhet të mbrohet, që po përpiqemi për më të mirën për vendet tona? Që po mbrohemi nga ata që po përpiqen të na çojnë mbrapa në shekullin e 17-të?”

Mirë e kishte. I erdhi kjo ditë…Veç shpirti i tij e di se sa kënaqej duke dëgjuar sharjet e mikpritësit servil që nuk la njeri pa sikterisur boll të kënaqej “Mysafiri i Madh”.

Por jo gjithë shqiptarët e Shqipërisë mendojnë si Edi Rama. Ka nga ata që u pikoi zemra gjak kur e panë këtë nënshtrim servil, këtë lëpirje ndaj kriminelit që masakroi vëllezërit e Kosovës. Sa nuk më ra pika kur dëgjova talljet ndaj heroit Ramush Haradinaj, pikërisht atij që ia nxiu jetën “Mysafirit të Madh” atë ditë të largët të 24 arsit 1998. Më keq u bëra kur dëgjova përgjigjen skandaloze të Ramushit “Nëse Edi Rama i don kosovarët të heqin taksën e rrugës”! Mos Ramush! Mos iu nënshtro këtij fjalëhelmësi, këtij dhunuesi verbal. Mos e përfill fare, mos iu përgjigj . Do vijnë ditë të tjera, do vijnë njerëz të tjerë që do t’a duan dhe respektojnë Kosovën. Në Shqipëri ka boll të tillë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit