2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

“50 miliardë euro dhe Trepçën Serbisë”, Haradinaj në prokurori, kërkohet shkarkimi i Thaçit

Rekomandime

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj po vazhdon t’i zbulojë një nga një skandalet e Hashim Thaçit dhe të hedhë akuza të rënda ndaj tij.

- Advertisement -

Haradinaj, së fundi e ka zbuluar edhe skemën kriminale për pazaret e ndarjes së Kosovës, ku sipas tij, në çështjen e temës së korrigjimit të kufijve, bëhej fjalë për 50 miliardë euro dhe Trepçën si pjesë e Serbisë.

“Bëhet fjalë për 50 miliardë euro sepse s’ka logjikë me ia jep Trepçën Serbisë pa diçka, unë besoj që prapa këtyre skenarëve ka plot argumente. Mendoj që mbajtja gjallë e kësaj teme është me një prapavijë se nuk mendoj që vjen krejt rastësisht”, ka thënë Haradinaj.

E lidhur me këtë, ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Florim Zeqa.

- Advertisement -

Sipas tij, edhe kjo deklaratë duhet me patjetër të hetohet nga prokuroria, dhe njëkohësisht argumentet të dërgohen ne Gjykatën Kushtetuese.

Florim Zeqa

- Advertisement -

“Po bëhen 21 vjet që kur Serbia u largua me tanke nga Kosova, por që pas këtyre viteve po kthehet sërish me aeroplanë dhe trena në Kosovë. Mbetet tejet shqetësues fakti se, pas arritjes së marrëveshjes së njëanshme nga i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell me autoritetet serbe dhe asistimin e përfaqësuesve të disa kompanive afariste për rifillimin e qarkullimit të linjës ajrore dhe hekurudhore nga Serbia për në Kosovë, askush nga liderët shtetëror dhe partiak nuk e kundërshtoi një marrëveshje të tillë, përfshirë edhe kryeministrin e dorëhequr, paradoksalisht në detyrë, që e mbanë akoma nën sqetull “Taksën 100 %”, i cili e mbështeti një pushtim të vijës ajrore dhe asaj hekurudhore nga Serbia, pa e pasur fare nën kontroll vijën ajrore dhe as atë hekurudhore që vjen nga Serbia në Kosovë. E për më tepër se kaq, dy marrëveshjet e arritura pa pëlqimin e autoriteteve shtetërore kosovare bien ndesh edhe me deklarimet e mëhershme të Haradinajt për dialogun Kosovë-Serbi”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sa i përket asaj që ka bërë Thaçi në të kaluarën e tij të largët si kryeministër, dhe tani si president vendi, sipas Zeqës, janë të njohura gati të gjitha veprimet, prandaj nuk është befasi që tani po zbulohen vetëm shifrat e kostos.

E me këtë çështje, Zeqa thotë se duhet të merret urgjentisht Prokuroria e Shtetit, për ta intervistuar edhe Haradinajn. 

Lexoni edhe:

Përfundon gjithçka, ja kur mblidhet LDK për marrëveshjen me VV-në

“Tanimë kur i mbarë opinioni publik në Kosovë, trojet etnike shqiptare dhe diasporë është i njoftuar me angazhimet e Thaçit për ndarjen e Kosovës, fillimisht përmes Asociacionit të Komunave Serbe (Zajednicës), korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Mirëpo pas “zbulimeve” të fundit të Haradinajt për pazaret e Thaçit për ndarjen e Kosovës, duke zbardhur shifrat: ” 50 miliardë euro dhe Trepçën si pjesë të Serbisë”, deklaratat e hapura të kryeministrit të vendit duhet të nxisin prokurorinë e shtetit për intervistimin e Haradinajt, për mbledhjen e dëshmive ndaj Thaçit dhe të tjerëve që mund të jenë të implikuar në një skandal të tillë. Në këtë rast, prokuroria nuk guxon të heshtë, për shkak se deklaratat e hapura të kryeministrit të vendit nuk duhet trajtuar si deklarata të një qytetari të zakontë, por si deklarata zyrtare që dalin nga i pari ekzekutivit të vendit”, shton Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se ky zbulim i Ramush Haradinajt, duhet t’i shërbejë edhe për dërgimin e Presidentit në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të merret konfirmimi për shkarkimin e tij nga detyra, për shkak të cenimit të interesit të shtetit.

“Pra, deklaratat e Haradinajt janë argument i mjaftueshëm për prokurorinë për të proceduar në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar shkeljet e kushtetutës nga Presidenti Thaçi. Në të kundërtën, do të jetë ky skandali i radhës që ndodhë vetëm në Kosovë, kur deklarimet e hapura të një kryeministri nuk i heton askush”, përfundon analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.(Kosova Sot Online)

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit