Tre persona të panjohur dyshohet se të maskuar dhe nën kërcënim të armëve, kanë sulmuar fizikisht dhe e kanë plaçkitur një tjetër në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur pasditen e së hënës në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ku viktima ka raportuar në polici se derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij, tre persona të panjohur, të maskuar dhe të armatosur ia kishin zënë pritën me veturën e tyre.
Nën kërcënimin e armës të dyshuarit e kanë goditur viktimën me dorëzën e armës dhe ia kanë grabitur një çantë në të cilën kishte pasur para dhe një telefon.
Më pas, të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.
Si pasojë e goditjes, viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku më pas është liruar.
Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin.