Drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu ka bërë të ditur se do të largohet nga ky medium për t’iu përkushtuar projekteve të reja.
Haxhiu nuk ka treguar se cili do të jetë angazhimi i tij i radhës, por ka thënë se i duhet të lëvizë drejt një caku e adrese të re, çka sipas tij nuk e ka aspak të lehtë, shkruan Reporteri.net.
“Sot është krejt ndryshe.Liderizmi i Klan Kosovës në skenën mediale, investimi në gjenerata të reja, ndërtimi i modeleve të reja të gazetarisë dhe stabiliteti i përgjithshëm janë arritje për mburrje dhe krenari. Për mua dhe për të gjithë që kanë qenë pjesë e tij.Njëkohësisht, janë shenjë e qartë që ky cikël është përmbyllur. Kam arritur në cak.
Më duhet të lëviz. Drejt një adrese të re, një sfide tjetër.Nuk e kam të lehtë, por e këtillë është jeta ime. Ky jam unë”, ka shkruar ndër të tjera ai në letrën e tij.
Emocionuese ka qenë përshëndetja e tij me stafin e Klan Kosovës me të cilët kishte punuar për vite me radhë.
Në fjalimin e tij, Baton Haxhiu nuk ka arritur të përmbajë lotët, ashtu si edhe ekipi që ka punuar me të.