0.9 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Weber: Vendimi i Kurtit për taksën i njejtë me qëndrimin amerikan, s’e kuptoj pse s’i pëlqen Grenellit

Rekomandime

Eksperti gjerman dhe njohësi i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur rreth zhvillimeve të fundit politike në Prishtinë rreth dialogut me Serbinë dhe vendimin e qeverisë së re rreth taksës 100 %.

- Advertisement -

Weber ka thënë se vendimi i fundit i Albin Kurtit për heqje të pjesshme të taksës është një vendim që tregon një racionalitet dhe shprehje të vullnetit të mirë, ndërkohë shton se nuk e kupton pse një vendim i tillë është i papranueshëm për Richard Grenellin, kur dy kushtet e kreut të qeverisë kosovare janë plotësisht në përputhje me politikën amerikane.

“Një gjest i arsyeshëm i vullnetit të mirë në emër të qeverisë, që do të duhej të ishte përshëndetur jo vetëm nga Brukseli por edhe nga Washingtoni. Pse? Sepse vendimi i Kurtit për pezullimin e pjesshëm të taksës është i lidhur me dy kushte. Së pari, heqja e barrierave tregtare jo-tarifore nga Serbia drejt Kosovës. Kjo kërkesë është plotësisht në përputhje me obligimet e marra nga CEFTA, dhe me promovimin e idesë së Vuçiqit për të ashtuquajturin Minishengen, këtë e mbështet edhe ambasadori Grenell nëse nuk gabohem”, ka thënë Bodo Weber.

Ai tutje ka shtuar se kushtet e Kurtit janë në përputhje edhe me insistimin e presidentit Trump për drejtësi në marrëdhëniet e tregtisë në rangun ndërkombëtar.

- Advertisement -

Tutje eksperti gjerman ka thënë se edhe kërkesa e dytë e Kurtit që Serbia ti jap fund fushatës për njohjet është kërkesë edhe e QUINT-it, ku janë anëtare edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk shoh ndonjë arsye pse z. Grenell duhet të kritikojë një veprim të qeverisë së Kosovës, përveç nëse ai ka ndonjë qëllim jo të sinqert”, ka potencuar Weber.

- Advertisement -

Në këtë intervistë Weber ka folur edhe rreth mos koordinimit Thaçi-Kurti rreth politikës së jashtme, duke qenë se presidenti është kundër përfshirjes së BE’së në dialog me një të dërguar special, ndërsa Kurti në anën tjetër deklarohet se mezi pret që të punojë me emisarin e Brukselit për negociatat me Beogradin.

Analisti gjerman në këtë intervistë për Express ka thënë se Hashim Thaçi po e keqpërdor kritikën e bërë nga vetë Weber dhe kolegët e në DPC rreth nominimit të mundshëm të Miroslav Lajcak në pozitën e emisarit të Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi.

Tutje Weber ka komentuar edhe konferencën e Thaçit të bërë pas kthimit nga Washingtoni. Sipas tij në atë fjalim, presideni i Kosovës i ka shpallur të vdekura negociatat e Brukselit.

“Presidenti Thaçi në konferencën e tij të jashtëzakonshme në Prishtinë, pas vizitës në Washington, pa u koordinuar me askënd, i shpalli të vdekura negociatat e drejtuara nga Brukseli. Mirë, perspektiva evropiane e Serbisë dhe Kosovës është e lidhur me këto negociata, dhe kjo nënkupton që presidenti juaj në mënyrë bazike ka deklaruar si të vdekura edhe aspiratat e vendit tuaj për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian”, ka theksuar Bodo Weber.

Anëtari i DPC në këtë intervistë ka komentuar edhe deklaratën e Thaçit se gjithmonë ka zhvilluar negociata në mënyrë transparente.

Weber thotë se sipas informacioneve që ka “njëri nga tre liderët që kanë marrë pjesë në negociatat e Brukselit, në marsin e 2018-ës ka vrapuar nëpër qytete evropiane me harta në dorë për të shkëmbyer territoret dhe për ta ndarë Kosovën. Megjithatë presidenti Thaçi dhe Vuçiq e publikuan idenë e tyre për shkëmbim të territoreve gjysmë viti më vonë, në gusht të vitit 2018”.

Teksa ka folur për deklaratat e Thaçit për transparencë në negociatat e Brukselit, Weber ka zbuluar edhe një detaj tjetër të padëgjuar deri sot.

Sipas analistit gjerman, presidenti Thaçi bashkë me ekipin e tij në fillim të negociatave për një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse në vitin 2017 ishin përgatitur që ta largonin kërkesën për njohje të plotë formale të Kosovës nga Serbia.

“Ndoshta gabohem, por nuk janë në dijeni nëse një gjë e tillë është diskutuar me ndonjë prej institucioneve relevante të shtetit apo politik bërësit”, ka potencuar Weber.

Tutje Weber thotë se përformanca aktuale e Thaçit karshi Washingtonit më shumë duket si një krizë serioze kushtetuese-kosovare sesa një problem i politikës së jashtme.

Eksperti gjerman tutje ka shtuar se Kosova ka të drejtën e botës për t’u ndjerë e pakënaqur me dobësinë e BE’së, por sipas tij për Prishtinën është më e favorshme që të anëtarësohet në një Evropë të tillë se sa të pajtohet me administratën e presidentit Trump.

“Kur bëhet fjalë për diferencat transatlantike dhe përballjen e Kosovës, presioni i pahijshëm politik që vjen nga administrata e Trumpit fatkeqësisht nuk është diçka e re për Kosovën. Por qeveria paraprake dhe koalicioni qeverisës ka demonstruar se një presion i tillë është i menagjueshëm. Në anën tjetër, Kosova ka gjithë të drejtën të jetë e pakënaqur me jo qëndrueshmërinë dhe dobësinë e BE-së. Edhe unë vetë jam. Por ngjitja në një BE të tillë është më e favorshme për interesin e Kosovës se sa pajtimi me administratën e Trumpit”, ka theksuar Weber.

Sipas tij Kosova do të mund të ndikojë në dialogun e BE’së, nëse siguron një qëndrim politik parimor dhe nëse insiston në kornizën dhe parimet origjinale të dialogut që Serbia duhet të pranojë realitetin e një Kosove të pavarur dhe që koha e ndryshimit të kufijve në Ballkan ka mbaruar. Shtuar kësaj, Weber thotë se Kosova duhet të prezantojë unitet në vend të kaosit të akterëve politik.

Weber tutje thotë se qeveria e Kosovës duhet të definojë pozicionin e saj negociues, duke filluar me negocimin e principeve, duke insistuar në definimin e dialogut politik. Sipas tij një gjë e tillë duhet të behët duke u bazuar në interesin e një Kosove të pavarur, multi-etnike që synon të ketë raporte të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Serbinë.

“Nuk duhet ta dëgjojë askënd në veçanti as në Washington e as në Bruksel. Dhe duhet shtruar pyetja kushtetuese, se kush negocion në emër të Kosovës”, ka potencuar tutje anëtari i DPC, i pyetur se kë duhet të dëgjojë qeveria Kurti, Washingtonin apo Brukselin sa i përket dialogut me Serbinë.

Përveç tjerash Weber thotë se qeveria duhet të interesohet edhe për arritjen e një shumice të mjaftueshme bashkë me opozitën për miratimin e një marrëveshje të ardhshme me Serbinë.

Sa i përket luftës Kurti-Thaçi rreth asaj se kush duhet t’i drejtojë negociatat, Weber kujton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që autorizonte kryeministrin për drejtimin e negociatave.

“Nëse nuk gabohem, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka përcaktuar se dialogut duhet të udhëhiqet nga kryeministri dhe qeveria. Një vendim i tillë parashihet edhe një rol të presidenti, por sigurisht që nuk e ka autorizuar atë që të veprojë një anshëm, e lërë më të marr vendime”, ka përfunduar Bodo Weber.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit