4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

(E përditësuar) Kurti e Vitia në konferencë urgjente, dyshohet për rastet e para për koronavirus

Rekomandime

Kryeministri Kurti e Ministri Vitia në konferencë urgjente, dyshohet për rastet e para për koronavirus

- Advertisement -

Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se në këtë konferencë mund të kumtohet lajmi se dy persona kanë rezultuar pozitiv.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në këtë konferencë, mediave do t’u drejtohen Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe përfaqëues të tjerë të institucioneve shëndetësore të Kosovës.

“Ju ftojmë të merrni pjesë në Konferencën për media lidhur me Koronavirusin Covid-19, e cila do të mbahet sot më 13 mars 2020 nga ora 17:30 në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në këtë konferencë, mediave do t’u drejtohen Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia si dhe përfaqëues të tjerë të institucioneve shëndetësore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

- Advertisement -

Për këtë konferencë ka njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Kryeministri Albin Kurti mban konferencë të jashtëzakonshme për media”, thuhet në komunikatë.

- Advertisement -

Vitia pret Heldt’in, Gjermania e gatshme ta ndihmojë Kosovën për Coronavirusin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, raporton Express.

Gjatë këtij takimi u diskutua për masat e ndërmarra lidhur me situatën në raport me Koronavirusin, Covid –19, ku u diskutua për praktikat më të mira të preventivës dhe menaxhimit të situatës.

Ambasadori Heldt ka deklaruar se Gjermania është e gatshme që ta përkrahë Kosovën për çfarëdo ndihmë që i duhet gjatë kësaj faze.

Ndërkohë, Vitia e ka informuar ambasadorin për masat që kanë marrë.

“Plani i gatishmërisë dhe i Reagimit kundër Covid-19 i Qeverisë së Kosovës është fleksibil duke na mundësuar që ta ndryshojmë nga çasti në çast, me qëllim të përshtatjes me zhvillimet në terren. Jemi duke vepruar sipas Planit të veprimit të paraparë”, deklaroi në këtë takim ministri Vitia.

Infektiva tregon cilët pacientë do t’i pranojë, kërkon të ndalen vizitat e familjarëve

Mjekët e Klinikës Infektive i kanë bërë thirrje Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Ministrisë së Shëndtësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik që të ndalohen vizitat familjare dhe të pacientëve që kanë simptoma të koronavirusit, raporton Express.

Mjekë të kësaj klinike i kanë thënë Gazetës Express se në këtë klinikë tash do të pranohen vetëm pacientët me temperaturë të lartë, kollitje dhe simptoma të tjera të koronavirusit.

Rezultatet për 15 pacientët e dyshuar me koronavirus dalin pas orës 18:00

Pas orës 18:00, pritet që të dalin rezultatet për 10 mostrat e pacientëve që janë dorëzuar sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nga ana e zyrtarëve të Klinikës Infektive me dyshimet për koronavirus, raporton Express.

Zëdhënësja e IKSHP’së, Era Pireva i ka thënë Gazetës Express se janë në pritje të përfundimit të të gjitha testeve.

“Sapo e konfirmova se jemi në pritje të përfundimit të të gjitha testeve, dhe pas orës 18:00, dalim me komunikatë për medie”, ka thënë Pireva.

MSH: Mos bëni panik, ende s’ka asnjë rast me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast me virusin korona, raporton Gazeta Express.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të nisur për media nga MSH-ja.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjitha mediave që të kenë konsideratë për ndjeshmërinë e situatës rreth Koronavirusit Covid-19 dhe të marrin gjatë raportimit të tyre për bazë vetëm informacionet e dhëna nga institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ju njoftojmë, se deri më tani, në Kosovë, nuk ka asnjë rast të konfirmuar të Koronavirusit Covid-19 në Kosovë.

Të gjitha rastet e dyshimta gjatë ditës së sotme, janë duke u testuar në Laboratorin e Mikrobiologjisë Humane në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dhe janë duke u proceduar sikurse edhe rastet e ditëve të kaluara.

Me të përfunduar të testimit, publiku do të njoftohet zyrtarisht për rezultatet”, shkruhet në komunikatë./Express/

…..

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur sot në një konferencë për media së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, lidhur me situatën në vend dhe rrezikun nga koronavirusi, raporton Gazeta Express.

Vitia ka deklaruar se sot në mëngjes nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka marrë rekomandim për mbylljen e kufijve.

“Sot në mëngjes kam marrë një rekomandim nga Instituti Kombëtar, për informacionin e juaj jemi vazhdimisht në kontakt jo vetëm institucionet brenda Kosovës por edhe me institucionet tjera si organizata botërore e shëndetësisë, vazhdimisht ndryshon është situatë dinamike, që vazhdimisht nga zhvillimet në terren do të na detyrojë që të marrim masa, sot kemi marrë një rekomandim që për një kohë të shkurtër të mbyllen edhe kufijtë tokësor, fakti që s’kemi ende koronavirus të shtyhet në maksimum paraqitja e tij në Kosovë”, ka thënë ai.

Vitia shtoi se lajmin se 11 persona të personelit mjekësor janë izoluar në Komunën e Vitisë e ka marrë gjatë mbledhjes.

“Ne ishim në mbledhje për personelin që ishte i vendosur në karantinë, nuk e di nëse ka informacion. Situatë ndryshon nga ora në orë, gjatë mbledhjes lexova informacionin që tha kryeministri, çdo informacion deri më tani që lëshohet nga instituti do të jetë i verifikuar pastaj i plasuar”, shtoi ai. /GazetaExpress

Apeli i ministrit të Shëndetësisë: Mos pranoni mysafirë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar disa nga veprimet që duhet t’i bëni për ta parandaluar infektimin me koronavirus.

Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për parandalimin e infeksionit me virusin Covid-19, Vitia këshilloi që të konsumohet sa më shumë ujë, lëngje dhe çajra, sidomos me limon.

“Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes”, ka këshilluar Vitia.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që secili anëtar i familjes të flejë në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale.

“Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale”, tha Vitia.

Ai ua ka dhënë qytetarëve edhe një këshillë që në Kosovë është vështirë të respektohet.

“Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi”, ka këshilluar ministri.

Për ata që kanë kafshë shtëpiake, Vitia u ka thënë “largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun”.

Gjithashtu, ministri ka sugjeruar që të shmangen personat që vuajnë nga sëmundjet akute të frymëmarrjes dhe të evitohet përdorimi i tualeteve publike.

Këto ishin vetëm disa nga këshillat që ministri Vitia i lexoi gjatë mbledhjes, ku rëndësi të veçantë theksoi se duhet kushtuar higjienës personale dhe kontakteve me njerëz.

Gjendja në Viti, Kadolli thotë se edhe një person tjetër ka shkuar për teste në QKUK

Në Komunën e Vitisë janë duke u kryer shërbime vetëm për rastet emergjente, pas dyshimeve se një person që mbrëmë është kontrolluar në këtë klinikë mund të jetë i infektuar me virusin korona, raporton Gazeta Express.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kadolli, ka deklaruar për televizionin publik se janë në kontakt për këtë temë edhe me kryetarin e komunës.

“Ne kemi kontaktuar me kryetarin e Komunës, dhe jemi konsultuar që të gjithë punëtorët që kanë qenë në dhomën ku ka qenë pacienti të mos japin shërbime. Shërbimet e rregullta janë dhënë në objektin tjetër”, shton ajo.

Tutje, thotë se jo zyrtarisht kanë marrë informacione se në QKUK mund të jetë duke pritur për analiza edhe një person tjetër.

“Prej nesh nuk ka shku asnjë rast tjetër, jo zyrtarisht morën informatë që është edhe një rast tjetër. As rasti jonë nuk është dërguar si i dyshimtë por vetëm si gripoz. E kemi një epidimiolog që ka qenë prej momentin këtu me neve”, deklaroi Kadolli.

….

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar disa nga masat parandaluese.

Ai ka kërkuar që të pastrohen duart vazhdimisht dhe të ketë sa më pak kontakte fizike mes njerëzve.

Vitia ka thënë se kontaktet fizike duhet të eliminohen edhe me kafshët.

“Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato, apo keni shumë kujdes”, ka thënë Vitia.

Gjatë kësaj mbledhje u kërkua që të sa më shpejt të jepen mbi 10 milionë eurot e ndara për parandalimin e koronavirusit, teksa u propozua edhe mbyllja e kufijve të Kosovës përkohësisht.

Për këtë të fundit është diskutuar në mbledhje të mbyllur, ndërsa pritet që pas pak Komisioni të dalë me vendim.

13:31 – Edhe Kosova mund t’i mbyllë kufijtë

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusi sot u propozua që të mbyllen kufijtë e Kosovës.

Këtë e rekomandoi Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai tha se ky pezullim të jetë i përkohshëm.

“Propozohet mbyllja e kufijve me shtetet fqinje, pezullimi i përkohshëm i linjave tokësore dhe ajrore deri në një vendin tjetër, përjashtim bëjnë të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët do të hulumtohen nga Institutet mjekësore”, ka thënë Vitia.

Vitia shtoi se kjo të bëhet pavarësisht se asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv.

13:28 – Albin Kurti deklarohet për koronavirusin

Në Qeverinë e Kosovës është mbajtur takimi i pare Komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusit, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Kurti deklaroi se gjendja është stabile dhe ende nuk ka asnjë rast pozitiv në Kosovë me koronavirus.

“Gjendja është stabile për momentin. Por duke marrë parasysh gjendjen globale duhet të marrim masa parandaluese të virusit. Ne kemi miratuar rekomandimet duke e ngritur shkallën e gadishmërisë”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, potencoi se MSH ka fuqizuar kapacitet kundër mbrojtjës së coronavirusit.

“Ministria po punon me kapacitet të shtuar. Pas vendimeve të marra gjitha institucionet kanë marrë hapa konkret. Jemi duke mbajtur komunikim të rregullt me qytetarët, duke fuqizuar kapacitetet. Janë testuar 93 raste dhe gjitha negative. Të gjithë udhëtarët e ardhur nga vendet tjera janë kontrolluar”, ka shtuar ai.

13: 08 – Njoftim me rëndësi për diasporën nga Aeroporti i Prishtinës

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka kërkuar nga bashkatdhetarët të cilët janë në Kosovë dhe dëshirojnë të kthehen në vendet ku jetojnë t’u drejtohen kompanive ajrore apo agjencive ku i kanë blerë biletat.

“E dashur diasporë, kam dhënë maksimumin që gjatë tërë ditës të iu përgjigjem pyetjeve tuaja veç e veç në thirrjet telefonike, pastaj në mesazhet tuaja në fb, por kam aq shumë mesazhe, thirrje dhe pyetje (pothuajse të njëjtat) që nuk po kam mundësi t’i kthej prandaj:

– Për çdo fluturim dhe informatë se si të ktheheni në shtetet ku jetoni ( Gjermani, Itali, Zvicër dhe Francë) ju lutem të kontaktoni vetëm kompaninë ajrore/agjensionin në të cilin keni procesuarblerë biletat kthyese deri në njoftimin e ardhshëm!”, ka shkruar Gara në Facebook

12:49 – Personeli i ambulancës në Viti në karantinë, kontrolluan 80-vjeçarin e kthyer nga Italia

Emergjenca në Komunën e Vitisë është mbyllur sot në mëngjes, pasi një person rreth të 80’ve po dyshohet se është prekur me koronavirus. I gjithë stafi mjekësor që ka qenë në kontakt me ambientin ku ka qëndruar ai, është në karantinë, raporton Express.

Rastin për Express e ka konfirmuar Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kadollii.

“Po, është shumë e vërtetë që është mbyll emergjenca në Viti. ka qenë një rast dmth që është i dyshuar, ka shku prej neve në Gjilan si grip , pra si gjendje gripoze. Nuk është dyshu që është i prekur me koronavirus, pra është dyshu vec për gjendje gripoze, por ns bazë të informative jo zyrtare kemi marrë vesh që rasti ka shkuar në Prishtinë, për dyshim me virus. Prandaj ne si kemi ardhur sot në mëngjes kemi mbyllë emergjencën dhe e kemi ba pastrimin dhe aktualisht jemi duke funksionuar në objektin tjetër”, ka thënë ajo për Express.

Kadolli thotë se i ka urdhëruar 11 mjekë e infermierë që të mos dalin nga dhoma deri në daljen e rezultateve. Personi që dyshohet për koronavirus ka qenë në Itali së fundi.

“Të gjithë personat që kanë qenë aty unë kam dhënë udhër që me ndejt në objekt, dmth me një dhomë derisa të del rezultati. Prej neve dmth ka shkuar si gjendje gripoze, mirëpo për shkak se e kanë marrë informatanë që kanë qenë në Itali kanë thënë shko në Gjilan be ndonjë kontroll . Personeli është i lindur në vitin 1943. 11, pra të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me ambientin ku ka qenë personi. Nuk i kemi lanë as me shku në shtëpi se ka qenë ndërrimi i natës, e deri të dalin rezultatet”, ka thënë ajo.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me infektologun Valbon Krasniqin, për të marrë informacione rreth gjendjes së 80-vjeçarit, por ai ka thënë se janë në pritje të rezultateve, të cilat pritet të dalin pasdite.

12: 47 – Çfarë ju nevojitet për një karantinë 14 ditore (Lista e gjërave)

Imagjinoni të keni ngecur në shtëpi në karantinë për shkak të koronavirusit të ri ose ndonjë pandemie tjetër. Mund të ndodhë. A je gati?

Sipas zyrtarëve të shëndetit, ja se çfarë ju nevojitet:

Sanitizues i duarve me bazë alkooli që përmban midis 60 dhe 90 përqind alkool;

Ilaçet për dhimbje koke, kollë dhe ethe;

Termometër;

Ilaçe kundër diarresë;

Pije me elektrolite;

Përtej kësaj, mbani parasysh edhe sa vijon:

Mbani një sasi të ilaçeve me recetë që ju ka rekomanduar mjeku, për të shmangur vonesa të mundshme gjatë një epidemie apo pandemie;

Furnizohuni për JO ME SHUME se NJË JAVË me ushqime që nuk skadojnë, si mish i konservuar, peshk, supë, bizele dhe perime. Mos harroni ujin me shishe.

Mbani një furnizim të mjaftueshme me sende dhe mjete të domosdoshme shtëpiake si sapun, shampo, pastë dhëmbësh, letër tualeti dhe të tjera.

Mbani disa para cash në shtëpi në rast të ndonjë emergjence.

12:39 – A është uji bartës i koronavirusit? Sqaron KRU “Hidrodrini”

Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Hidrodrini” ka njoftuar konsumatorët se sipas të gjitha vërtetimeve shkencore të gjertanishme, rezulton se uji nuk është bartës i koronavirusit.

Këtë informacion, KRU “Hidrodrini” njofton se e ka rikonfirmuar edhe nga drejtori i ISHPK-së, Naser Ramadani.

Si masë parandauese ndaj pandemisë koronavirus, ky ujësjellës bën të ditur se po bëhet klorifikimi i përditshëm i ujit.

Po ashtu, KRU “Hidrodrini” garanton se nuk do të ketë reduktime të ujit, përjashtuar rastet e prishjeve eventuale.

“Sa i përket përdorimit të ujit, si masë prevenuese, higjienike dhe shëndetësore ndaj COVID 19, KRU ‘Hidrodrini’ rekomandon popullatën që shfrytëzimin e tij ta bënë në bazë të udhëzuesit të IKSHPK-së.

-Pastrimi i duarve minimum për 20 sekonda,

-Pastrimi i gojës, hundës dhe fytyrës, – të aplikohet me ujë të ngrohtë!

Përndryshe, çdo gjë tjetër vazhdon në suaza normale”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit

12:16 – Apel nga Klinika Infektive: Mos ejani nëse nuk keni shenja të koronavirusit, rrezikoni të infektoheni

Sëmundja infektive e koronavirusit ka alarmuar botën anembanë. Megjithëse, në Kosovë ende nuk është regjistruar asnjë rast, qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe frikësuar për mundësinë e prekjes nga ky virus.

Infektologu në Klinikën Infektive, Valbon Krasniqi, ka bërë një apel për qytetarët që të ruajnë qetësinë.

Krasniqi ka bërë thirrje që qytetarët të telefonojnë në numrat e telefonit të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe mos të paraqiten në Klinikë nëse nuk kanë shenja të sëmundjes sepse rrezikojnë aty të infektohen.

“Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion një linjë telefonike me pesë numra që do të thotë pesë persona munden njëkohësisht mundem me marrë informata. Të gjithë qytetarët që kanë simptoma të gripit, që mendojnë se kanë pas kontakt me një person të dyshimtë apo që kanë ardhë prej shteteve të tjera që duan të bisedojnë me personel mund të thirrin në ato numra pa pas nevojë me ardhë me ju ekspozo rrezikut të infeksionit nëpër klinika. Veç personat që kanë simptoma të gripit edhe kanë histori të udhëtimit ose kontaktit me njerëz që kanë qenë të sëmurë atëherë preferohet me ardhë me u vizitu. Të tjerët duhet të vetizolohen në shtëpi dhe të zbatojnë masat që ka marrë Qeveria”, ka thënë Krasniqi.

11:59 – Ministri Vitia: 15 rasteve të dyshuara po u kryhen analizat, rezultatet dalin në orën 1 apo 2

Sot është mbledhur Komisioni i Posaçëm për parandalimin e infektimit me koronavirus i cili është drejtuar nga Ministri i Shëndetësie, Arben Vitia.

Vitia ka propozuar që Komisionit t’i shtohet edhe ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku, një anëtar i këshillit të sigurisë, një përfaqësues nga klinika infektive dhe një nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ai tutje ka thënë se kërkojnë që mjetet e kërkuar që të ndahen sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Ministri ka treguar se sot ka takuar krerët e bashkësive fetare me të cilët kanë bashkërenduar veprimet.

“Për informacion, sot kam pasur takime me krerët e bashkësive fetare, me të cilët jemi koordinuar që përmes mesazhit që dërgojnë ata të jemi të koordinuar me masat që ka paraparë qeveria. Ata janë mirë të informuar dhe qysh nesër do të fillojnë me masat e rekomanduara nga qeveria”, ka thënë Ministri Vitia, raporton Gazeta Express.

Vitia ka thënë se ka marrë raportin rreth gjendjes me me koronavirus. Deri tash ai ka thënë se janë testuar 93 mostra dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

“Nga data o8-13 mars janë testuar 93 mostra, dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, ka thënë Vitia.

Ndërkohë ka treguar se tashmë janë duke iu kryer analizat 15 rasteve të dyshuara dhe se analizat pritet të dalin sot në orën 1 apo 2.

“Me 13 mars kemi marrë informacione Klinika Infektive edhe për 15 raste të dyshuara. Pacientët janë marrë mostrat dhe po presim që rreth orës 13 apo 14 të dalin rezultatet, për të cilat do të njoftoheni”, ka thënë Vitia.

Tutje ai ka treguar se në aeroporte dhe pika kufitare janë testuar mbi 5 mijë udhëtarë.

Ndërkohë ka potencuar për respektim strikt të rekomandimeve meqë ka informacione se vendet e tjera të Evropës dhe Britania e Madhe mund të përballen me situatën me të cilën po përballet Italia.

Vitia ka rekomanduar larjen të shpeshtë të duarve, shmangie e kontakteve me duar, puthje apo përqafime, ushqim të shëndetshëm, pirje të ujit etj./GazetaExpress/

Vitia takon myftiun, s’tregojnë a falet xhumaja, nesër dezinfektohen krejt xhamitë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është takuar me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava

Vitia me këtë rast ka thënë se nuk ka asnjë rast me koronavirus, edhe pse thotë se janë disa raste duke u testuar për të cilat do të dalin rezultatet më vonë.

“Ne folëm me myftiun dhe besoj që shumë shpejt nga ana e Bashkësisë Islame edhe besimtarët islamë shumë shpejt do të njoftohen për ato çka kanë biseduar”, tha Vitia.

Tërnava u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë vendimet e Qeverisë dhe IKSHP-së.

“Ne biseduam për këtë problem global dhe unë si myfti apeloj që të gjithë qytetarët e vendit të respektojnë vendimet që kanë dalë nga Qeveria nga IKShPK-ja dhe si nga Bashkësia Islame”.

Ai ka njoftuar se të shtunën Bashkësia Islame në orën 11:00 do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me masat që do të ndërmerren.

Tërnava tha se nesër do të merret vendim që të dezinfektohen të gjitha xhamitë e Kosovës.

Në 12:30 mblidhet komisioni për parandalimin e koronavirusit

Në orën 12:30 pritet të mblidhet Komisioni i posaçëm për parandalimin e koronavirusit, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, raporton Express

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Mbahet takimi i Komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusit, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, dje Qeveria e Republikës së Kosovës në mënyrë unanime ka miratuar propozimin për krijimin e një komisioni të posaçëm për parandalimin e infektimit me koronavirus.

Mbi 10 raste të reja të të dyshuarve me koronavirus në Kosovë

Më shumë se 10 mostra të pacientëve janë dorëzuar sot në IKSHP nga ana e zyrtarëve të Klinikës Infektive me dyshimet për koronavirus.

Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Sipas mjekëve, numri po shtohet nga minuta në minutë në Infektivë.

“Rezultatet për këta 10 persona pritet të dalin në orët e para të pasdites”, kanë thënë ata për Express.

Në mesin e këtyre 10 personave është edhe vajza nga Gjakova për të cilën është raportuar dje se ka dyshime se mund të jetë infektuar me koronavirus.

Megjithatë për vajzën, mjekët thonë se nuk kanë parë ndonjë simptomë të dukshme tek ajo, e cila mund të çojë në dyshime për pandemi. “Mirëpo ajo është izolu deri në marrjen e rezultatit”, kanë thënë ata për Express.

Kontrollet për koronavirus në shtetin e Kosovës kanë filluar nga 8 shkurti dhe deri më sot janë testuar gjithsej 82 pacientë, të cilët kanë rezultuar negativë. Aktualisht në qendrat e kontrollit kanë arritur 10 raste të reja të dyshuara, rezultatet e të cilave do të bëhen të ditura në mbrëmje.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit