Publicisti Veton Surroi e ka “interpretuar” vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jokushtetues vendimin e Qeverisë për vendosjen e orës policore.Surroi ka shkruar se do të mbahet gjatë në mend ky vendim, por sipas tij, jo për mburrje.
“Ka gjasa të mbahet mend gjatë në rrëfimet juridike gjithandej botës si shembull, dhe jo për mburrje. Do të mbahet mend edhe në analet e Kuvendit”, ka shkruar ai.
Reagimi i plotë:
NJË LEXIM I SHPEJTË I VENDIMIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE NË RASTIN COVID-19Në vendim lexova këtë si pikën më të fortë të Gjykatës për favorizimin e pretendimeve të H.Thaçit:
IV. TË KONSTATOJË që, bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës.Pra Gjykata mendon se duhet një ligj i veçantë (jo zbatim i një ligji të miratuar më parë, si ligj për mbrojten e ambientit, të shëndetësisë, etj) dhe kjo do të thotë se Qeveria duhet ta propozojë e Kuvendi ta kalojë diçka si “ Ligj për kufizimin e lirive të qarkullimit etj gjatë pandemisë COVID-19”.
Ka gjasa të mbahet mend gjatë në rrëfimet juridike gjithandej botës si shembull, dhe jo për mburrje.Do të mbahet mend edhe në analet e Kuvendit. Sepse herën tjetër kur duhet kufizuar qarkullimin e njerëzve dhe veturave te Stadiumi Fadil Vokrri për ndeshjen e përfaqësueses të Kosovës , Kuvendit do t’i duhet të kalojë “Ligjin për kufizimin e kalimit të veturave dhe personëve në rrugët X,Y, Z , para , gjatë dhe dy orë pas ndeshjes Kosovë-Angli”.
Argumenti juridik është i njëjtë.