Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani kanë bërë homazhe pranë shtatores së akademik Fehmi Aganit në 21 vjetorin e vrasjes.
Vrasjen e tij, kryeministri në detyrë e ka quajtur ekzekutim kriminal të Serbisë.
“Fehmi Agani ishte intelektual delikat dhe profesor i afërt, dashamirës i dijes, mësimit dhe studimit, njeri paqësor e përparimtar. Formimi i tij ishte kryesisht humanist e social. Angazhimin e vet politik e shihte më shumë të imponuar nga koha dhe rrethanat sesa pasion karakteri apo prirje profesioni.
Vrasja e tij ishte ekzekutim kriminal i Serbisë dhe humbje e madhe për Kosovën”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se duhet të angazhohen që drejtësia për Fehmi Aganin të vijë në vend.
“Më 29 maj bëhet një vit prej se u ndryshua Kodi i Procedurës Penale që mundëson gjykimin dhe dënimin në mungesë. Duhet të angazhohemi, dhe do të angazhohemi që të zbardhet e vërteta e të sillet drejtësia për të”, ka thënë ai.