Ministria e Financave dhe Transfereve u ka kërkuar disa bizneseve të cilat kanë punuar gjatë pandemisë dhe kanë aplikuar për kompensim nga Pakoja Fiskale Emergjente t’i kthejnë paratë e dhëna nga qeveria, anipse aplikimet fillimisht u janë pranuar dhe në të tregohet se çfarë funksioni kryejnë këto biznese.
Bizneseve që po u kërkohet t’i kthejnë paratë qeverisë janë marketet ushqimore, supermarketet, farmacitë dhe furrat e bukës.
Kanë kaluar 35 ditë që kur bizeneset kanë aplikuar për pako emergjente dhe disa paga prej 170 euro për muajin prill dhe maj veçse kanë filluar të ekzekutohen, ndërkaq totali i punëtorëve të përfshirë në këtë masë është 133.000 persona, shkruan Gazeta Sijnali.
Pasi Ministria e Financave ua ka pranuar aplikimet dhe i ka ekzekutuar disa paga tashmë, po kërkon që ato të kthehen, duke i quajtur këto biznese mashtruese dhe përfituese të padrejta.
“Secila ndërmarrje që e gjen veten në pikat 1 deri 4, duhet të jene të vetëdijshme se ka kryer mashtrim të institucioneve publike duke tentuar të përfitojnë pa të drejtë… Si të tilla këto ndërmarrje rekomandohet të tërheqin aplikimet e tyre menjëherë, dhe në rast se pagesat janë ekzekutuar, të njëjtat t’i kthejnë në arkën e shtetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve.
Ndërsa në pikën 2.2 të pakos emergjente, thuhet se, “Punëdhënësi duhet të dëshmojë që veprimtaria e tij është ndikuar negativisht direkt apo indirekt nga situata e emergjencës shëndetësore me vendimet e qeverisë së Kosovës… qoftë duke dëshmuar që vepron me njërin nga kodet e veprimtarive në aneksin A të cilave u është ndërprerë puna me urdhëresë të MEPTINIS, duke deklaruar se si kanë ndikuar vendimet e qeverisë në rënien e të hyrave të dyre duke dëshmuar vështirësitë financiare përmes librit të arkës, bilancit bankar dhe dëshmi të tjera të ngjashme.”
Masa 1.3 synon mbështetjen e ndërmarrjeve vendore, përfshirë këtu edhe OJQ-të dhe të vetë-punësuarit, që janë në vështirësi financiare si pasojë e rënies së aktivitetit të tyre për shkak të masave të ndërmarra me qëllim luftimin e pandemisë Covid- 19.