Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj nuk i ka komentuar deklaratat e ditëve të fundit rreth shkarkimit të tij nga kjo pozitë.
Qalaj për Ekonomia Online ka thënë se Policia e Kosovës, është duke punuar me tërë kapacitetet ekzistuese dhe se vlerësimi i punës së tij i përket hierarkisë dhe është i rregulluar me ligj.
“Policia e Kosovës ta kryejmë punën tonë sa më mirë që është e mundur dhe mendoj që ja kemi arritur së bashku me grupin tim menaxhues dhe po ashtu me të gjithë komandantët e stacioneve dhe eprorët e tjerë, gjithmonë duke iu falënderuar policëve dhe policeve të cilët janë angazhuar dhe kanë dhënë një kontribut të madh që ta kemi situatën nën kontroll sa i përket pandemisë.
Çështja e vlerësimit të punës së drejtorit të Policisë, është çështje e hierarkisë e rregulluar në bazë të ligjit. Unë nuk dua t’i komentojë ato deklarata mirëpo unë duhet të sigurohem që organizata është duke punuar në mënyrën më të mirë të mundshme me ato kapacitete që i kemi”, tha Qalaj.
I pyetur nëse do ta arrestonte deputetin Behgjet Pacolli nëse do t’i kërkohej nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ai ka thënë se Policia vepron në bazë të ligjit dhe në asnjë mënyrë tjetër.
“Unë jam drejtor i Policisë dhe drejtori i Policisë dhe policia e Kosovës vepron në bazë të ligjit të Policisë.
Unë nuk dua një asnjë moment të komentojë deklaratat e spektrit politik, pavarësisht se kush janë dhe nga cila pozitë vijnë. Mirëpo Policia e Kosovës vepron vetëm ne bazë të ligjit dhe në asnjë mënyrë tjetër”, tha Qalaj.