Nga e enjtja i nxehti afrikan përfshin vendin. Mot i nxehtë, me vranësira dhe diell, të premten me erë. Temperaturat maksimale 30 deri 33C.
Të nxehtit afrikan i paralajmëruar për këtë javë, nga dita e nesërme do të fillojë të shtrihet mbi vendin tonë. Do të mbajë mot i nxehtë, tipik veror, me diell dhe vranësira, kryesisht të shtresave të larta, bën të ditur Prishtina Weather.
Shërbimi i meteorologjisë njofton se temperaturat maksimale do të rriten në 30C deri 33C – në dy ditët e ardhshme parashihet të fryjë edhe erë e ngrohtë kryesisht nga krahu jugor.
“Të shtunën, kalimi i fushave ciklonike nga Italia përgjatë pjesëve veriore të rajonit sjellë një ulje të lehtë të temperaturave, por mbetet mot shumë i ngrohtë. Prej ditës së diel sërish mot i nxehtë dhe temperatura maksimale mbi 30C”, thekson PW.
“Nga dita e mërkurë fusha të presionit më të rritur do të shtrihen mbi rajon, të cilat sjellin mot stabil, me diell e herë-herë edhe me vranësira, por pa të reshura. Sipas parashikimeve të fundit, prej ditës së enjte një valë e të nxehtit afrikan pritet të depërtojë mbi vendin tonë, që do të kushtëzojë mot të nxehtë, me temperatura maksimale edhe mbi 30C”, njofton PW.
“Ditëve në vijim nga shkretëtirat e Afrikës veriore, erëra të fuqishme do të sjellin mbi rajon edhe koncentrime më të larta të pluhurit Saharian. Kohë pas kohe vlerat e çastit të cilësisë së ajrit mund të rriten edhe në vlera të pashëndetshme. Indeksi i rrezeve ultravjollce do të jetë i lartë”, bën të ditur shërbimi i meteorologjisë.
Parashikimi për periudhën 14-18 maj:
14.05 – Kryesisht me vranësira dhe nxehtë, e gjatë ditës edhe me erë. Mundësi për ndonjë rigë lokale shiu.
15.05 – Nxehtë, intervale me diell dhe vranësira. Ditën edhe me erë.
16.05-17.05 – Të shtunën shumë ngrohtë, me vranësira dhe diell. Ditën e diel sërish nxehtë, me diell dhe vranësira.
18.05 – Nxehtë, kryesisht me vranësira dhe intervale me diell.
Temperaturat minimalet do të luhaten nga 13C deri në 15C, e maksimalet nga 30C deri 33C. Të shtunën maksimale pësojnë një rënie të lehtë deri në 27C.
Do të fryjë erë mesatare dhe e fuqishme kryesisht nga krahu jugor 5-16m/s, vende-vende me hove edhe mbi 18m/s. Të shtunën përkohësisht do të fryjë erë mesatare nga verilindja 4-11m/s.
Shtypja atmosferike do të pësojë rënie përreth vlerave normale, e në fundjavë do të shënojë rritje.