Koalicioni i Organizatave Shqiptare në Amerikë i kanë dërguar një letër presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me qasjen e SHBA-ve ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
Në letrën e siguruar nga Portali.info, fillimisht Organizatat Shqiptare falënderojnë SHBA-në për përfshirje në politikën e Ballkanit, e posaçërisht për përfshirjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Gjithashtu, jemi duke ju shkruar për të shfaqur një shqetësim serioz ndaj politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara në drejtim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Siç e dini edhe ju, liria dhe ndërtimi i shteteve në Ballkan ka qenë një angazhim i suksesshëm i Shteteve të Bashkuara me investim të konsiderueshëm nga ju, Bashkimi Evropian dhe NATO për 20 vitet e fundit. Sidoqoftë, këto të arritura mund të njollosen shkaku i qëllimeve afatshkurta të diplomacive si nga Kosova, Serbia dhe ndoshta nga Shtetet e Bashkuara – të gjitha në emrin tuaj”, shkruan në mesazhin drejtuar presidentit Trump.
Tutje, në letër thuhet se kosovarët janë të friksuar se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë ‘kinse nuk po shikojnë’, përderisa Kosova mund të copëtohet tutje për të plotësuar ambiciet nacionaliste të Serbisë.
Aty thuhet se çdo ndryshim i kufijve mund të hapë ndonjë konflikt të ngrirë dhe rajoni të destabilizohet edhe njëherë.
“…Serbia ka injoruar pikat e 33 marrëveshjeve bilaterale të arritura dhe nuk ka shfaqur ndonjë shenjë të reciprocitetit”.
“Le të kujtojmë se Serbia ka vrarë mbi 12 mijë persona në Kosovë, ka përdhunuar mbi 20 mijë gra e burra dhe ka larguar më shumë se një milion kosovarë të pafajshëm duke i shkatërruar kështu ekonominë dhe pronat private të tyre. Gjithashtu, ja vlen të përmendet se rreth 280 objekte kulturore janë shkatërruar nga forcat serbe gjatë vitit 1998-1999 dhe tashmë as nuk ekzistojnë. Mbi shtatë mijë objekte të lëvizshme të trashëgimisë kulturore janë larguar nga Muzeu Kombëtar në Kosovë dhe janë dërguar në Serbi…”, thuhet në letër, përcjell tutje Portali.info.
Letrës drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump, organizatat e shqiptarëve në Amerikë i kanë bashkangjitur edhe disa rekomandime rreth normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Portali.info ka përkthyer rekomandimet e drejtuara zyrtarëve amerikan, përfshirë presidentit Trump:
Përderisa shoqëria historike mes Kosovës (dhe përtej kufijve, të gjithë shqiptarëve) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e padiskutueshme, është e vështirë të kuptohet si një reprezentues i SHBA-së mund të justifikojë procesin e ngritjes së institucioneve në fazat e hershme, pas 20 viteve që korrupsioni institucional u tolerua. Politika e jashtme e SHBA nuk duhet të mbështesë me politikanët serb dhe kosovarë që kanë interes personal (disa prej të cilëve janë duke u ndjekur penalisht) vetëm që të arrijë një kompromis mes individëve për të mbështetur ndarjen e Kosovës dhe një marrëveshje të keqe për Kosovën, Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta edhe për Serbinë…
Prandaj, ju kërkojmë që të keni konsideratë të lexoni rekomandimet tona specifike për dialogun që është duke u zhvilluar:
– Nuk duhet të ngutemi
– Duhet së pari të adresojmë tentimin e fundit që ishte për të marrë pushtetin e Qeverisë së Kosovës, para se të vazhdojmë me çfarëdo negociate me Serbinë
– Asnjë marrëveshje nuk duhet të përfshijë shkëmbimin e territoreve dhe as territore me status special
– Dëmshpërblimet ekonomike duhet të jenë pjesë e çfarëdo marrëveshje të paqes
– Nuk duhet të ketë amnesti për personat që kanë kryer krime të pa imagjinuara
– Liria e tregtisë dhe liria e lëvizjes
– Rritja e prezencës së Shteteve të Bashkuara dhe trupave ushtarake të NATO-s në rajon do të ishte e mirëseardhur
– Furnizimi me ujë për Kosovën nuk duhet penguar
– Të gjitha institucionet fetare brenda Kosovës, të çfarëdo besimi, duhet të kenë transparencë për të gjitha fondet e mbledhura dhe t’i deklarojnë përmes llogarive publike
– Kosova dhe Serbia duhet të marrin një plan të konsiderueshëm për investime afatgjate nga Shtetet e Bashkuara
– Kosova dhe Serbia duhet të integrohen në trupin e Bashkimit Evropian nëse të dy palët plotësojnë kushtet. Në këtë aspekt, Serbia duhet të ndalojë të gjitha tentimet ndaj tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe pengimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
– Çfarëdo marrëveshje e paqes e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të garantohet nga Këshilli i Sigurimit të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, NATO-s, por vetëm pasi që të ketë marrë pëlqimin e gjerë në të dy shtetet.