2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Një nen e lë të uzurpuar garën për Shef të LDK’së, s’ka iniciativë për ndryshimin e Statutit

Rekomandime

Një ish-udhëheqës i Partisë së Isa Mustafës dhe një deputete e LDK’së kanë mendime krejt të kundërta për një nen të Statutit të Partisë që ua pamundëson garën, atyre që s’i kanë 51 për qind të delegatëve, dhe synojnë pozitën e Shefit të Partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova.

Eqrem Kryeziu, dikur Nënkryetar i LDK’së, thotë se neni 25 i Statutit të Partisë është projekt për të mbajtur nën kontroll partinë që doli e dyta në zgjedhjet e fundit nacionale.

- Advertisement -

“Ky nen në statutin e partisë, është projekti i uzurpimit të logos së LDK-së. Turp”, tha shkurt Kryeziu.

Neni 25, pika 2 në statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend dhe secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm.

- Advertisement -

Këtë nen e kishte kundërshtuar nënkryetarja e kësaj partie Vjosa Osmani kur mbaheshin punimet e Kuvendit të nëntë të partisë në gusht 2019 kur Isa Mustafa u rikonfirmua Shef i LDK’së pa kundërkandidat.

Kryetarja aktuale e Parlamentit kishte thënë se sa më parë duhet të largohet norma 50% + 1 nga statuti i partisë, e cila është jodemokratike.

- Advertisement -

Madje ajo kishte premtuar se angazhimi i saj primar do të jetë fillimi i ndryshimit të këtij neni në statutin e partisë.

Gazeta Express e ka pyetur nënkryetaren e LDK’së dhe ish-kandidaten për Kryeministre nga LDK’ja nëse ka inicuar ndonjë ndryshim të statutit në organet vendimmarrëse të partisë, por Osmani nuk është përgjigjur.

Edhe deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj nuk e ka parë të arsyshme që të flasë lidhur me këtë çështje kur është pyetur nga Gazeta Express.

Ka folur deputetja Besa Gaxherri. Ka thënë se ky nen nuk lejon të ketë numër të madh dhe të panevojshëm të kandidatëve për Kryetar të LDK’së.

Megjithëkëtë, ajo thotë se gara do të duhej të lejohet për më shumë se një kandidat.

“..pra ky nen e ka arsyen e vet, ani pse propozimi im ka qenë dhe është që kandidaturat të shpallen në kuvend secili me platformën e vet dhe të aprovohen në pako nga delegatët, në qoftë se nuk kanë vërejtje të arsyeshme, të bazuara në status për ndonjërin nga kandidatët”, tha Gaxherri.

Kjo zyrtare e LDK’së ka thënë se problematike vazhdon të jetë përfaqësimi gjinor se sa kandidimi për Shef partie.

Analisti Imer Mushkolaj ka mendim të njëjtë me Vjosa Osmanin kur bëhet fjalë për nenin që pamundëson garën për Shef të LDK’së. Ka thënë se ky nen është mekanizëm kontrolli i Shefit aktual të LDK’së ndaj të tjerëve.

“Neni është jodemokratik dhe e minon garën fer brenda partisë. Ky nen ua pamundëson garën fer të gjithë atyre që paraprakisht nuk e kanë mbështetjen e kreut të partisë”, tha Mushkolaj për Gazetën Express.

Mushkolaj tutje thotë se heqja e këtij neni do të mundësonte kandidimin e anëtarëve të LDK’së që nuk kanë aleanca brendapartiake.

“Heqja e këtij neni do të bënte të mundur që secili anëtar i LDK’së të mund të kandidojë për kryetar, pa pasur nevojë për aleanca jodemokratike brendapartiake”, tha Mushkolaj

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se LDK’ja si partia më e vjetër e themeluar do të duhet të ju ofrojë gjithë anëtarëve mundësi të barabarta për të kandiduar për kryetar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është partia më e vjetër në Republikën e Kosovës e themeluar në vitin 1989, si parti e cila është sinonim i pluralizmit politik në Republikën e Kosovës. LDK ndër vlerat që i promovon janë edhe angazhimi kundër çdo monopoli politik dhe ekskluziviteti ideologjik. Për më tepër, kjo parti si vlerë demokratike promovon edhe lirinë e ndërgjegjës dhe të bindjeve politike. Të gjitha këto vlera do të kishin kuptim nëse të njëjtat do të zbatoheshin në praktikë dhe do të ofronin mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët e saj për të realizuar të drejtën e tyre për të kandiduar për Kryetar të kësaj partie”, tha Miftaraj.

Ai tha po ashtu se norma 50% plus 1 anëtar kufizon mundësinë që anëtarët që kanë mbështetje në popull të mund të zgjedhen në krye në partisë.

“Kufizimi që kandidati për të shpallur kandidaturën për Kryetar të partisë të këtë 50% plus një anëtar, është në kundërshtim me vlerat dhe parimet që promovon kjo parti. Një qasje e tillë kufizon në masë të madhe mundësinë që anëtarët e rinj apo ata që kanë mbështetje në popull të mund të vinë në krye të kësaj partie nëse të njëjtit nuk kanë edhe përkrahjen e anëtarëve të Kuvendit. Kjo në praktikë është jashtëzakonisht e vështirë kur anëtarët e vjetër apo edhe vet Kryetari i partisë në masë të madhe ka kontroll mbi partinë dhe anëtarët e Kuvendit”, tha Miftaraj.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur Kuvendin e nëntë Zgjedhor më 3 gusht 2019. Në atë kuvend, Isa Mustafa u zgjodh kryetar me aklamacion pasi nuk kishte kundër kandidat. Ish-Kryetari I partisë, Fatmir Sejdiu pretendoi të përfshihet në garë për kryetar të LDK’së, por Sejdiu morri vetëm 78 vota të delegatëve duke mos e përmbushur kushtin që të marrë 50 për qind të votave plus një delegat.

Zgjedhjet në LDK pritet të mbahen në vjeshtën e vitit 2023./GazetaExpress/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit