Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shpjeguar arsyet e mos votimit të saj për Qeverinë Hoti.
Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se abstenimi gjatë seancës për votimin e Qeverisë Hoti ka të bëjë me bindjet e saja politike.
“Unë kam sqaruar pse kam votuar kundër. S’kam votuar as për koalicion brenda partisë më 28 prill ku kam abstenuar. Ka qenë një qëndrim i tillë prej fillimit, sepse mendoj se Hoti është në kundërshtim me bindjet e mia politike”, ka thënë ajo.
Kadaj-Bujupi ka theksuar se kryeministri Hoti ka qenë kundër vendosjes së taksës dhe reciprocitetit ndaj Serbisë, për të cilat AAK-ja ka këmbëngulur që të mbeten në fuqi.
“Qysh në fillim të punës së tij, Hoti hoqi reciprocitetin. Kjo qasje e butë me Serbinë para fillimit të dialogut, është e gabuar. Hoti nuk është personi i duhur në detyrën e kryeministrit”, ka thënë Kadaj-Bujupi në Debat Plus të Tv Dukagjini.