Gjykata e Prishtinës liroi nga akuza për mashtrimin 962 vota ish-komisionerin Kastriot Ibrahimin.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, shpalli se Kastriot Ibrahimi u lirua nga akuza për shkak se ndaj tij nuk u provua se e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokuroria.
Gjykimi ndaj tij kishte përfunduar në një seancë që u mbajt sot paradite.
Prokurorja Bukuria Gjonbalaj kërkoi nga gjykata dënimin e të akuzuarit pasi, sipas saj, gjatë gjykimit ishte vërtetuar se ai kishte kryer veprën penale të mashtrimit me vota.
Ndërsa i akuzuari Kastriot Ibrahimi, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim të cilën nuk e elaboroi fare për shkak të gjendjes së pandemisë.
Prokuroria thotë se Kastriot Ibrahimi së bashku me 5 të akuzuar të tjerë kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 12 dhjetor 2010 në Podujevë.
Sipas aktakuzës të akuzuarit kanë hequr 962 vota nga subjektet politike dhe i kanë shtuar partisë së preferuar.
962 votat e shtuara subjekteve të preferuar pastaj i kanë bartur edhe në formularin e përputhjes së të dhënave të cilin edhe e kanë nënshkruar për të konfirmuar se kinse shifrat janë të sakta.