Në dyvjetorin e vdekjes së legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është publikuar maketi fitues i shtatores së tij.
Maketin e kanë shpalosur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Hoti ka thënë se ata që janë rritur me legjendën Vokrri ia kanë borxh nderimet familjes së tij.
“Padyshim Vokrri mbetet legjendë edhe për të gjitha gjeneratat që vijnë”, ka thënë Hoti ndër të tjerash, njofton Kosova Press.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe djali i Fadil Vokrrit, Gramozi, që në emër të familjes falënderoi gjithë pjesëmarrësit.