Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq si dhe Presidenti i Republikës Serbe në Bosnje dhe Herceogvinë, Milorad Dodik, kanë marrë pjesë në ceremoninë e “Paradës së Fitores” të zhvilluar në Moskë të Rusisë.
Ata u pritën nga homologu i tyre, Vladimir Putin. Vuçiq do të qëndrojë në Rusi dy ditë, transmeton Indeksonline
Ndryshe, kjo vizitë bëhet 3 ditë para takimit të madh që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti.
Vlen të theksohet se i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Richard Grenel, deklaroi se ajo që ai po bën është të përqendrohet në marrëdhëniet ekonomike dhe krijimin e një “zone mini-Shenzhen”.
“Ne mendojmë se është një ide shumë e mirë, të krijojmë vende të reja pune në rajon dhe të përpiqemi të lidhim vendet ekonomikisht, komercialisht,” tha Grenell në një intervistë për televizionin amerikan Newsmax.
Ai shtoi se vetëm pas kësaj, çështjet politike mund të jenë në rendin e ditës, si një hap i dytë.
Zona speciale ekonomike Shenzhen është themeluar në maj të vitit 1980 dhe është zona e parë e veçantë ekonomike në Kinë, pas së cilës u krijuan edhe pesë zona të veçanta ekonomike.
Shumë prodhues të orientuar nga eksporti prodhojnë dhe mbledhin mallra në atë zonë.
Banka Botërore deklaron në një raport se karakteristikat e asaj zone janë autonomi e gjerë politike dhe institucionale, partneriteti publik-privat dhe investime të mëdha direkte të huaja, si dhe investime të mëdha të diasporës kineze.