Kroacia ka vendosur ta rikthejë karantinën 14- ditore për vizitorët nga katër fqinjët e saj të Ballkanit pas asaj që po shihet praktikisht si një valë e dytë e koronavirusit në rajon.
Udhëtarëve nga Bosnja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, do t`u duhet të izolohen dy javë pas mbërritjes në Kroaci. Këtu do të bëjnë përjashtim udhëtarët e transitit, sqaroi ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq.
Në fund të majit, Kroacia i hapi kufijtë e saj për dhjetë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Estoninë.
Që nga mesi i majit, vendi pothuajse nuk kishte regjistruar më infeksione, por situata u përkeqësua papritur javën që shkoi kur vendi nisi të raportonte deri në 30 raste të reja COVID-19 në ditë.
Ky shpërthim i ri i sëmundjes përkoi me një pjesë të turneut ndërkombëtar të tenisit Adria Tour të mbajtur për bamirësi.
Pas eventit, Novak Gjokoviqi, organizator i turneut, gruaja e tij dhe tre tenistë të tjerë rezultuan pozitivë për koronavirusin.
Turneu kishte nisur në Beograd, në një stadium të mbushur plot em njerëz, siç thotë AFP-ja.
Serbia gjithashtu është përpjekur të frenojë shpërthimin, por vetëm ditën e mërkurë, autoritetet shëndetësore atje regjistruan 143 raste të reja brenda 24 orësh.
Vendi së fundi zhvilloi zgjedhjet e para të përgjithshme në Evropë që nga fillimi i pandemisë.
Bosnja, Maqedonia Veriore dhe Kosova gjithashtu kanë shënuar që të gjitha rritje të infektimeve që nga fillimi i muajit qershor.