9.1 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Poshtërimi i Shtëpisë së Bardhë

Rekomandime

Vuçiqi sot është shndërruar në autokratin dhe kapësin e shtetit më të madh në rajon dhe çdo proces negociues që nuk parasheh njohje të ndërsjellë është proces për të legjitimuar përkrahjen evropiane për Vuçiqin dhe jetëgjatësinë e tij politike.

- Advertisement -

Baton Haxhiu

Është e kotë të fantazojmë. Por, në këtë shekull, dhe në të kaluarin, fitoret kanë qenë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Robert O’Brien dhe Richard Grenell i dhanë fund kësaj pamje. Ia dhanë shijen e pafuqisë.

Këta të dy, dhe pse jo, e gjithë Zyra e Donald Trumpit, kësaj radhe e kanë poshtëruar Shtëpinë e Bardhë.

- Advertisement -

Nisja e procesit të marrëveshjes së paqes në mes Kosovës dhe Serbisë, e prerë në rrugë, është aq e papritur dhe e habitshme, sa tregoi pafuqinë e shtëpisë më të famshme të botës në një moment ekskluziv politik.

Kjo shtëpi ka sunduar botën me sjelljen, fuqinë, informacionin dhe qëndrimet e saj. Rasti i fundit e bëri atë të prekshme, normale dhe më pak të informuar se të gjitha vendet tjera që dikur kishin frikë nga nami i saj.

- Advertisement -

Humbësi më i madh në këtë ngjarje është Presidenti Amerikan dhe vetë Shtëpia e Bardhë.

Mysafirët e saj, që ishin nisur të takoheshin për fillimin e një procesi paqeje, janë vetëm viktima të një konspiracioni brenda-amerikan. Me kënaqësi, dështimin e takimit do ta përjetojnë një pjesë e evropianëve dhe rusët.

Ata, çuditërisht, kishin informacion se ky takim nuk do të mbahet, dhe këtë, në një mënyrë, e bëri të ditur qartë Aleksandar Vuçiqi, pas takimit me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Gjëra të rëndësishme do të ndodhin. I bisedova me Presidentin Putin, por nuk dua t’i bëj publike, sepse janë të rëndësisë së veçantë”, tha ai.

Dhe vetëm pas disa orësh, ndodhi kidnapimi!

Kidnapimi “i të ftuarit” për fillimin e procesit të paqes, në mes të rrugës, pa e ditur Këshilltari për Siguri Kombëtare, që mbi tavolinën e tij ka gjithë informacionet botërore, është lajm i keq për Amerikën dhe fuqinë që ajo përfaqëson.

Kjo që ka ndodhur është jo vetëm konspiracion kundër Shtëpisë së Bardhë, me qëllim të minimit të procesit të udhëhequr nga Presidenti Trump, por është poshtërim i figurës dhe simbolikës së Shtëpisë së Bardhë, që deri dje ka pasur brenda saj namin e fuqisë, namin e ndikimit dhe jo rrallë përcaktimin e jetës së njerëzve nëpër botë.

Pyetja e vetme që mund të lindë ka të bëjë me njerëzit dhe për njerëzit e Shtëpisë së Bardhë. Pse ndodhi kidnapimi i të ftuarve të Shtëpisë së Bardhë? Dështimi i takimit si rezultat i kidnapimit të të ftuarit rrugës nuk është bërë me formulë juridike, por ka qenë i organizuar dhe krejtësisht politik. Kjo edhe për faktin se Prokurorinë e ruan, e mirëmban dhe e paguan kjo Administratë.

Kidnapimi, gjithashtu, nuk mund të jetë evropian, sepse nuk ka pasur kurrë guxim evropian për të dalë përballë Amerikës dhe për të qenë minues ndaj saj. Është veprim krejtësisht brenda-amerikan dhe i konspiruar kundër Shtëpisë së Bardhë.

Në të kundërtën, sikur të kishte informacion, e besoj se ka pasur në institucionet tjera amerikane, është dashur të anulohet takimi për një arsye krejt tjetër. Qoftë edhe me një fjali: Nuk do të ketë takim!

Karriera ushtarake dhe politike e ka bërë Hashim Thaçin prej kohësh njeriun më të përcjellë dhe të dokumentuar, së paku në Kosovë. Madje, thuhej edhe se ekziston një raport i detajuar i inteligjencës amerikane dhe asaj gjermane për Thaçin, qysh nga viti 2005.

Prandaj, edhe gazeta gjermane Der Spiegel ngriti një pyetje ditën e djeshme, që do të duhej ta bënin edhe në SHBA: Nëse është ditur gjithçka për Thaçin, dhe ajo që mund të pretendohet se ai ka bërë qenka në çfarëdo forme kriminale, atëherë përse kjo nuk e ka ndalur askënd deri më tash që të ulet në tavolinë me të – sa herë që vihej në pyetje e ardhmja, jo vetëm e Kosovës, por e gjithë Rajonit?

Pse ai u quajt George Washington pikërisht në vendin ku duhej të nënshkruhej marrëveshja?

Po ashtu, është një moment krejt i padrejtë që ka ndodhur me popullin e Kosovës për t’u përfaqësuar.

Prokuroria veproi në një moment krejtësisht brutal dhe kjo nuk mund të jetë e paqëllimshme. Prokuroria tregoi se është politike dhe ka mohuar që 2 milionë shqiptarë të përfaqësohen në fillimin e një misioni paqeje të udhëhequr nga vet Presidenti amerikan.

Ky moment drejtësie është i pashembullt dhe jo-proporcional në rrafshin e të drejtës dhe e bën këtë Gjykatë të pabesueshme.

Tekefundit, paturpësisht në një moment delikat u ndërruan rolet në skenën publike e mediatike, si dhe në tavolinën e bisedimeve. Në këtë moment delikat, kur Prokuroria doli me njoftim për akuzë kundër UÇK-së, e bëri tavolinën që të harrohet krimi i madh serb dhe të dalë që “krimi” tjetër përballë një “pafajësie” serbe të jetë narracion i së ardhmes. Edhe më keq, kjo tash ka përfaqësim mediatik.

Por, cilat janë implikimet për Kosovën në të ardhmen, dhe a është rrezikuar projekti i shtetësisë?

Natyrshëm vjen menjëherë dëmtimi i reputacionit dhe pozicionit të Kosovës në çfarëdo procesi negociues në të ardhmen.

Me përjashtimin efektiv të SHBA-ve nga lidershipi në Dialogun e ardhshëm, vështirë se do të ketë marrëveshje nën Administratën aktuale të Trumpit. Dialogu kthehet ne Bruksel.

Aktakuza rrezikon ta ndërrojë narracionin për luftën në Kosovë dhe paradoksalisht i vesh liderët serbë me petkun e paqebërësve, duke ua forcuar jashtëzakonisht shumë pozicionin në negociata.

Pavarësisht trumbetimeve që Administrata Biden do të krijojë rrethana më të mira për Kosovën, është e gabuar, sepse duhet sqaruar disa çështje që janë në kujtesën e veprimeve.

Nën Administratën Obama-Biden, Kosova përfundimisht ka rënë si çështje prioritare në SHBA. Në vend se të krijohej momentum i ri politik për forcimin e shtetësisë së Kosovës, pas vendimit të GJND-së, SHBA ka lejuar që çështja e Kosovës të zhvendoset në Bruksel.

Rezultatet e një dekade negociatash, të udhëhequra nga BE, më së miri shpjegohen me gjendjen në Urën e Ibrit, që pavarësisht propagandës, investimeve, vizitave, mbetet e mbyllur. Pra, në bllokadë.

Administrata Obama, po ashtu, ka shtyrë përpara procesin e krijimit të Gjykatës Speciale, me argumente të paqëndrueshme politike, sepse kërcënohej se nëse nuk bëhej në Kosovë, Rusia e krijon mundësinë që këtë ta bëjë në OKB. Siç dihet, asnjë vendim në OKB nuk kalon pa pëlqimin e anëtarëve të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, 3/5 e të cilëve janë (ishin) aleatë të Kosovës.

Kjo Gjykatë tashmë jo vetëm që ndërron narracionin për raportin viktimë-agresor në Kosovë, por ajo zhbën në mënyrë post-festum edhe vetë arsyen e intervenimit amerikan në Kosovë. Me fjalë të tjera, ajo dëmton pa masë narracionin për Kosovën si storie suksesi në politikën e jashtme amerikane.

E fundit, Obama ka pasur qasje shumë pozitive në raport me Serbinë, siç dëshmohet edhe nga vizita e Hillary Clinton dhe vetë Biden në Serbi. Biden ishte zëvendëspresidenti i parë që vizitonte Beogradin në shumë dekada.

Kjo e sjell Kosovën në një situatë të paprecedent, ku BE ndërhyn në mënyrë arbitrare jo veç në procesin e udhëhequr nga Grenell, por edhe në zhvillimet politike në Kosovë. Sepse, aktakuza e pretenduar në fakt hap rrugë për rikonfigurim të tërësishëm të skenës politike dhe krijon avantazhe të jashtëzakonshme për një parti të caktuar politike – Vetëvendosjen. Kjo ndërhyrje është shumëfish më e madhe dhe më direkte sesa ndërhyrja e trumbetuar e Grenellit në rënien e Qeverisë Kurti.

Po ashtu, me dëmtimin e procesit, të nisur në Shtëpinë e Bardhë, BE-së i është hapur rruga për ta udhëhequr procesin e ardhshëm të Dialogut me një Kosovë të mbështetur për muri. Ç’është më e keqja, procesi i BE-së në parim është i destinuar për të dështuar. Është proces pa parime, pa kornizë negociuese dhe pa lidership politik.

Fjalia “normalizim i raporteve” nuk është asgjë tjetër veçse një shënjues i zbrazët i vetë logjikës politike të BE-së, që as pas një dekade dështimi në negociata nuk e ka të qartë kotësinë e qasjes së saj. Një qasje kjo që e ka përdorur në Dialog, jo për ta forcuar shtetësinë e Kosovës, e as për ta shtyrë Serbinë për ta njohur Kosovën, por për t’i hapur rrugë progresit të Serbisë në integrimet europiane.

Normalizimi është term politik, e jo juridik. E drejta ndërkombëtare nuk njeh term të tillë. Problemi i Kosovës është edhe juridik edhe politik dhe zgjidhja duhet të jetë e tillë që përfundimisht mbyll çështjen e statusit përmes njohjes reciproke.

Andaj, pavarësisht paqartësive të momentit, është esenciale që Kosova t’i rezistojë presionit evropian për të hyrë edhe në një eksperiment tjetër negociues, që paraprakisht e përjashton qëllimin e njohjes së ndërsjellë.

Vuçiqi sot është shndërruar në autokratin dhe kapësin e shtetit më të madh në rajon dhe çdo proces negociues që nuk parasheh njohje të ndërsjellë është proces për të legjitimuar përkrahjen europiane për Vuçiqin dhe jetëgjatësinë e tij politike.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit