4.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Alarmi i fundit nga QKUK: Jemi stërngarkuar, rrezikojmë të kolapsojmë

Rekomandime

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 111 pacientë me COVID-19, ku 6 pacientë janë në përkujdesje intensive dhe në gjendje të rëndë, ndërsa 66 pacientë janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

- Advertisement -

Përveç në Klinikën Infektive, pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar edhe në objektin e Mjekësisë Sportive, njësinë intensive, ku janë të shtrirë 5 pacientë, njëri nga ta i intubuar dhe 4 të tjerë më CPAP. Pacientë me COVID-19 ka edhe në klinikën e Pulmologjisë, ku janë të shtrirë 22 raste të cilët janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

Infektologu Salih Ahmeti, derisa ka treguar për gjendjen e pacientëve të shtrirë në Klinikën Infektive, deklaroi se kapacitetet e kësaj klinike janë të stërmbushura.

“Ne sot i kemi të shtrirë 111 pacientë gjithsej, prej atyre 66 janë me oksigjenoterapi dhe me gjendje më të rënduar, ndërsa gjendja e pacientëve të tjerë është stabile. Ndërsa, në kujdesin intensiv i kemi 6 pacientë, janë me frymëmarrje po ashtu të ndihmuar me metodën CPAP kanë një gjendje mjaftë të rëndë, mirëpo ne po bëjmë përpjekjet e mundshme që të përmirësojmë edhe gjendjen shëndetësore të tyre. Ndërsa, numri është në vazhdimësi i ndryshueshëm meqenëse ne sot do të lirojmë 5 pacientë të cilët janë të shëruar qoftë në aspektin klinik dhe laboratorik, por kemi mjaftë kërkesa edhe për spitalizim dhe unë besoj që ata shumë shpejt do të zëvendësohen me pacientë të ri”, tha ai.

- Advertisement -

Ahmeti tha se shtimi i rasteve me COVID-19 e vështirëson punën e stafit mjekësor, për çka u ka bërë apel qytetarëve që të bartin maskat dhe të mbajnë distancën fizike.

Ai tha se ende situata është e menaxhueshme, por që tha se çdo shtim i numrit të rasteve e vështirëson punën, ku nuk e përjashtoi mundësinë që të ndodh një kolaps shëndetësor.

- Advertisement -

“Ne deri më tani me kapacitete të mbushura, me energji të fundit të stafit shëndetësor dhe të stërngarkuar po ia arrijmë me i menaxhua ende mirë mendoj unë këta pacientë…Është punë e lodhshme, është punë e vështirë dhe punë e mundimshme, mirëpo kjo është obligimi jonë dhe unë besoj megjithatë se ne do të arrijmë që t’i kryejmë obligimet tona profesionale…Ne ende e menaxhojmë situatën, ne kemi angazhuar edhe staf vullnetar, ekipe rezervë, megjithatë unë po them e menaxhojmë. Mirëpo çdo shtim i numrit të rasteve këtë menaxhim e vështirëson dhe nëse ky numër i rasteve arrin që të merr vlera të pakontrolluara atëherë situata jonë unë nuk kisha pas dëshirë që të ndodh, por ekziston mundësia që ne të na qet në një kolaps shëndetësor”, tha ai.

Përveç në Klinikën Infektive, pacientët me COVID-19 janë duke u trajtuar edhe në Klinikën e Pulmologjisë, ku janë të shtrirë 22 raste.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, tha se nga 22 pacientët në këtë Klinikë prej tyre 12 janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe në gjendje stabile.

Në klinikën e Pulmologjisë, ku janë të shtrirë 22 raste të cilët janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

“Për momentin me COVID-19 janë 22 pacientë të cilët janë të vërtetuar, ndërsa i kemi edhe 6 të cilët janë në pritje. Gjendja prej 22 pacientëve, prej tyre 12 janë me oksigjen, mirëpo janë në gjendje stabile nuk janë në një gjendje të rëndë. Jemi në mënyrë të vazhdueshme në kontakt me Klinikën Infektive në mënyrë që sapo t’iu lirohet atyre vendi këto raste i transferojmë në Klinikën Infektive, mirëpo derisa t’iu bëhet vendi ata pacientë qëndrojnë këtu dhe e marrin trajtimin këtu”, tha ajo.

Deri më tani në vendin tonë janë 2799 raste me COVID-19, ku 1506 janë shëruar, ndërsa kanë vdekur 49 persona. Vetëm mbrëmë në vendin tonë janë shënuar 122 raste me COVID-19.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit