Shtetet e Bashkuara sot e shënojnë Ditën e Pavarësisë. Më 4 korrik 1776, delegatët e 13 kolonive të atëhershme e kishin miratuar Deklaratën e Pavarësisë, e cila dy ditë më parë ishte votuar nga Kongresi Kontinental dhe ishte hartuar kryesisht nga Thomas Jefferson.
Kur kishin filluar betejat e para të Luftës Revolucionare në prill të vitit 1775, pak kolonistë dëshironin pavarësi të plotë nga Britania e Madhe, ndërsa ata që e kërkonin këtë cilësoheshin si radikalë.
Megjithatë, rreth mesit të vitit pasues, shumë më shumë kolonistë e përkrahën pavarësinë pas rritjes së armiqësisë me Mbretërinë e Bashkuar dhe shtimit të qendrimeve revolucionare.
Më 7 qershor 1776, kur Kongresi Kontinental ishte mbledhur në Shtëpinë Shtetërore të Pensilvanisë, delegati i Virgjinias, Richard Henry Lee, e kishte nisur një mocion me të cilin bëhej thirrje për pavarësinë e kolonive.
Pas debatit të ashpër, Kongresi e kishte shtyer votimin e rezolutës së këtij delegati, por e kishte caktuar një komision prej pesë anëtarësh, që do ta hartonte qëndrimin zyrtar me të cilin do të justifikohej ndarja nga Britania, shkruan History.com, transmeton Gazeta Express.
Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të rezolutës së delegatit Lee në mënyrë pothuajse unanime. Delegacioni i Nju Jorkut fillimisht kishte abstenuar, por më vonë e kishte ofruar përkrahjen për rezolutën e pavarësisë.
Më 4 korrik, Kongresi Kontinental zyrtarisht e miratoi Deklaratën e Pavarësisë, e cila në pjesën më të madhe u shkrua nga Jefferson. Ndonënse procesi i votimit kishte ndodhur më 2 korrik, 4 korriku u bë datë e festimit të pavarësisë.
Fuqia e Shteteve të Bashkuara – Shteti i parë në shumë fusha
Shtetet e Bashkuara konsiderohen si vendi më u fuqishëm i botës. Ato prijnë në shumë aspekte, duke filluar nga ndikimi politik deri te fuqia ushtarake.
Kur bëhet fjalë për shpenzimet ushtarake, Shtetet e Bashkuara ndodhen bindshëm në vendin e parë në botë. Vitin e kaluar, buxheti i ushtrisë amerikane ishte 732 miliardë dollarë ose 38 për qind e shpenzimeve globale për ushtri. Ky buxhet ishte për 5.3 për qind më i lartë se ai i vitit 2018 dhe vetëm kjo rritje kishte vlerë të barabartë me tërë buxhetin ushtarak të Gjermanisë për vitin 2019.
Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë në botë edhe për eksportimin e armëve. Nga viti 2015 deri në vitin 2019, ShBA-ja shiti 76 për qind më shumë armë se Rusia, që është në vendin e dytë. 96 shtete blejnë armë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Arabia Saudite ka blerë më së shumti armë nga ShBA-ja.
ShBA-ja mbizotëron edhe në fushën e hulumtimeve shkencore dhe shpenzon më së shumti në botë në këtë aspekt. Në vitin 2017, për hulumtime shkencore u shpenzuan 543 miliardë dollarë. Shkencëtarët amerikanë e publikojnë numrin më të madh të punimeve në revistat shkencore.
Shtetet e Bashkuara janë shteti i parë në botë për shpenzimet në kujdesin shëndetësor. Mesatarisht mbi 10,000 dollarë për kokë banori shpenzohen në këtë aspekt.
Shtetet e Bashkuara e mbizotërojnë edhe tregun mediatik. Mediet amerikane në vitin 2018 kishin vlerë të përgjithshme prej 678 miliardë dollarësh apo gati sa një e treta e vlerës botërore të medieve.
ShBA-ja është vendi ku jetojnë më së shumti miliarderë në botë. Sipas revistës “Forbes”, në këtë shtet jetojnë 614 miliarderë, përfshirë njeriun më të pasur në botë, Jeff Bezos. Kina është e dyta me 389 miliarderë.
Shtetet e Bashkuara prijnë në hulumtimet e hapësirës dhe aviacionit. ShBA-ja këtë vit e realizoi fluturimin e parë komercial në hapësirë me anijen kozmike SpaceX.
E para në botë për prodhimin e gazit natyror. Në vitin 2009, ShBA-ja ia zuri vendin e parë Rusisë për prodhimin e gazit natyror. Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara prodhuan 866 miliardë kubikë metër gaz natyror.
Shtetet e Bashkuara janë të parat në botë edhe për prodhimin e naftës. Para fillimit të pandemisë, në këtë shtet prodhoheshin 17.9 milionë fuçi nafte në ditë, më shumë se në Arabinë Saudite dhe në Rusi.
ShBA-ja është fuqia më e madhe botërore për prodhimin e energjisë bërthamore. Atje prodhohet 30 për qind e sasisë globale të kësaj energjie. Vitin e kaluar, reaktorët amerikanë prodhuan 809 miliardë kilovatë energji elektrike. Kjo industri vlen 37.2 miliardë dollarë dhe në të janë të punësuar gati 100,000 persona.