Një shqiptar nga Kosova është shndërruar në burim infeksioni me COVID-19 në rrethinën e Predazzo-s në Itali, pasi që i njëjti nuk ka respektuar rregullën e vetizolimit dhe karantinimit kur ishte kthyer nga Kosova për në Itali më 17 qershor.
Kosovari pas kthimit kishte marrë pjesë në një ndejë të organizuar me disa shqiptarë të tjerë nga Kosova dhe si rezultat ka infektuar edhe 7 persona të tjerë që kanë qenë pjesë e ndejës.
Për një gjë të tillë ka treguar drejtori i Departamentit të Parandalimit, Antonio Ferro, nga Agjencia Provinciale e Shërbimeve Shëndetësore në qytetin e Trentos.
Ndaj kosovarit ndërkohë do të fillohen procedura ligjore për mos respektimin e karantinës, shkruajnë mediat italiane.
“Burri nuk ka respektuar detyrimin për të njoftuar autoritetet vendore shëndetësore për kthimin e tij në Itali dhe nuk ka kryer vetëizolimin e detyrueshëm shtëpiak për njerëzit që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. Në ditët e para të qëndrimit të tij në Itali, ai gjithashtu ka marrë pjesë në një aheng të komunitetit kosovar në Predazzo”, ka thënë Ferro.
Derisa thotë se më 24 qershor i njëjti ishte drejtuar drejt Urgjencës dhe të nesërmen kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 së bashku edhe me 2 persona që bashkëjeton.
Hetimi epidemiologjik i realizuar nga Agjencia Provinciale e Shërbimeve Shëndetësore ka çuar edhe në identifikimin e pesë personave të tjerë pozitiv.
“Duket se ka pasur kontakte me popullatën në Trentino, do të vazhdojmë hetimet tek kolegët e punës”, ka thënë tutje Ferro.
Për mosrespektimin e rregullave për parandalimin e përhapjes së virusit, kosovari është raportuar në autoritetet gjyqësore në Itali.
Rasti i kosovarit ka bërë që të kthehet frika në Predazzo, megjithatë kreu i bashkisë thotë se situata duket se është nën kontrollë.
“Pas një periudhe të vështirë shpresuam që ia dolëm. Shumë keq, por për fat të mirë duket se situata është e kufizuar në një rreth të vogël njerëzit. Personat e infektuar janë asimptomatikë. Shpresojmë që situata të zgjidhet”, ka thënë Maria Bosin.