Qeveria e Republikës së Kosovës mbrëmë ka miratuar vendimin e radhës për masat e luftimit të pandemisë COVID 19, me të cilin ka obliguar Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore që të rrisin kapacitetet në gjithë vendin.
Një ndër masat e marra është edhe rikthimi i orës policore në katër komuna, të cilat kanë numër të madh të të infektuarve me virusin korona, raporton IndeksOnline.
Sipas Qeverisë, nga sot (6 korrik 2020), duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, përveç:
Në raste urgjente shëndetësore;
• Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten;
• Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare;
• Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes;
• Në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia (nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar).