0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Mos i hiqni maskat! Me çfarë ligji po dënohen qytetarët që s’i bartin ato

Rekomandime

Qeveria e Kosovës në masat e miratuara për parandalimin e përhapjes së COVID-19 e ka bërë të obligueshme vendosjen e maskës.

- Advertisement -

Sipas këtij vendimi, qytetarët janë të obliguar që në të gjitha vendet ku qëndrojnë, prej momentit kur dalin nga shtëpia apo banesa, ta kenë të vendosur maskën për mbrojtje nga koronavirusi. Në rast të mosvendosjes së maskës, ata do të dënohen sipas Ligjit për luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Policia dhe Inspektorët po mbikëqyrin respektimin e masave, e ndaj mosrespektuesve po shqiptojnë edhe gjoba.

Që nga dita e hënë, vendosja e maskës më nuk është zgjedhje, por obligim.

Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, janë të obliguar që t’i vendosin maskat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

- Advertisement -

Por, vendosja e maskës nuk është masë e re.

Maska, dezinfektimi apo larja e duarve dhe mbajtja e distancës fizike, janë tri masat kryesore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit qysh prej fillimit të shfaqjes së rasteve të para në vendin tonë.

- Advertisement -

Meqenëse këto masa nuk u respektuan nga të gjithë qytetarët dhe rastet me koronavirus janë shtuar dukshëm, Qeveria e Kosovës e ka bërë të obligueshme vendosjen e maskës.

Për këtë, shteti ka nxjerrë në rrugë inspektorët e policët, të cilët po kujdesen që të shpërndajnë gjoba për personat që nuk po i respektojnë masat.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për Gazetën Express se gjatë ditës së martë, në kryeqytet janë marrë të dhënat e 115 qytetarëve dhe 5 bizneseve që janë evidentuar se nuk kanë respektuar masat e Qeverisë.

“Që nga dita e djeshme, me vendimet e fundit të qeverisë maska është obligative edhe në rrugë. Kësisoj, ne, bashkë me policinë dhe disa nga inspektoratet e nivelit qendror, jemi duke inspektuar në çdo pjesë të qytetit. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë marrë të dhënat e 115 qytetarëve, dhe 5 bizneseve, që janë evidentuar se kanë bërë shkelje”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka treguar se pas marrjes së të dhënave të personave që nuk respektojnë masat, rastet procedohen në Inspektoratin Sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ku më pas lëshohet aktvendimi i cili shkon në Gjykatë, ku edhe merret vendimi për ndëshkim.

“Të gjitha rastet procedohen tutje sipas Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse”, ka thënë Tahiri.

Ai theksoi se gjatë ditës së martë është vërejtur kujdes më i madh i qytetarëve dhe respektim i masave në kryeqytet.

“Sot, situata nëpër rrugët e qytetit ka ndryshuar për të mirë, ku vërehet që pjesa dërmuese e qytetarëve po iu përmbahen rregullave të reja”, deklaroi Tahiri.

Por, kundër shqiptimit të gjobave ndaj personave që nuk i respektojnë masat e Qeverisë, janë shumë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët po kërkojnë miratimin e Ligjit Anti-COVID.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se nuk ka bazë ligjore për t’i dënuar qytetarët.

“E kemi nevojë të domosdoshme me miratu Ligjin Anti-Covid. Pajtohna edhe për punën e maskave. Ka më shumë se një muaj që kam thënë që me pas obligim maskat kush del prej shtëpisë. Kush del prej shtëpisë duhet me ia ba obligim maskat dhe duhet me ba dënim kundërvajtje kush s’e mban. Por, s’kemi bazë ligjore, është e vërtetë. Propozim i imi ka qenë që në Ligjin Anti-Covid me përfshi specifikisht këtë masë”, ka deklaruar Krasniqi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka propozuar projektligjin për pandeminë.

Propozimi i Osmanit nuk ka gjetur mbështetjen e Qeverisë.

Krerët e ekzekutivit po e shohin si të panevojshme një gjë të tillë, meqë sipas tyre në legjislaturën ekzistuese ka mjaftueshëm mekanizma të cilët rregullojnë fushën e luftimit të ndalimit dhe parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë.

Me çfarë baze ligjore po shqiptohen gjobat për qytetarët që nuk i respektojnë masat?

Në Ligjin për luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe pandemive janë të qarta kompetencat dhe mandatet ligjore, duke përfshirë edhe ndëshkimet për personat që nuk i përfillin masat e nxjerra.

Në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, Inspektorati Sanitar i Kosovës është organi kompetent për mbikëqyrjen e respektimit të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Inspektorati Sanitar i Kosovës i cili funksionon në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë në marrjen e masave për tejkalimin e situatës në rast të epidemive, endemive, pandemive dhe fatkeqësive natyrore.

Dënimet të cilat i shqiptojnë inspektorët e ISK-së dhe Policia, janë të parapara me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, ku Qeveria e Kosovës është bazuar kur ka marrë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Personi fizik dënohet me gjobë prej 1.000 € deri 2.000 €, kurse personi juridik me gjobë prej 3.000€ deri 8.000€. Personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej 500€ deri 1.500€, për kundërvajtje nga paragrafi 1 i këtij neni”, thuhet ndër të tjera në Ligj.

Dënime sipas këtij Ligji parashihen edhe për personat që nuk pranojnë të hospitalizohen.

“Personi fizik dënohet me gjobë prej 250€ deri 1.000€, për kundërvajtje: a) nëse refuzon të hospitalizohet dhe izolohet në institucionin shëndetësor, përkatësisht në objektin e caktuar për këtë qëllim kur është sëmurë ose kur dyshohet se është sëmurë nga sëmundja e caktuar ngjitëse sipas nenit 17, të këtij ligji”, thuhet në Ligj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit