Drjetori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani ka thënë se situata me COVID-19 po normalizohet dhe është nën kontroll.
Kjo, sipas Ramadanit është mundësuar me gjurmimin e të gjitha rasteve në laboratoret e IKSHPK-së.
“Duke pasë parasysh se ditëve të fundit kemi pasur një situatë epidemiologjike me rritje të numrit të rasteve me COVID-19, prej dje faktikisht ne po e raportojmë situatën 24 orëshe. Situata ka filluar të normalizohet, të jetë më e qetë dhe të jetë nën kontroll me gjurmimin e të gjitha rasteve të cilat janë gjurmuar në laboratoret e Institutit Kombëtar dhe që dalin nga të gjitha anët e Kosovës, si nga ana e klinikave të SHSKUK-së, spitaleve rajonale dhe të qendrave kryesore të mjekësisë familjare”, tha Ramadani.
Sipas të dhënave të fundit që vetë ai i publikoi në konferencë për media, janë 4 persona që kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke e çuar në 112 totalin e viktimave.
Ndërkaq 119 është numri i rasteve të reja me koronavirus, që e çon në 5 mijë e 237 totalin e të infektuarve në Kosovë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 92 persona, teksa totali i të shëruarve ka mbërritur në 2 mijë e 462.
Numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë aktualisht është 2 mijë e 663.
Deri tani, në laboratoret e IKSHPK-së janë testuar 29 mijë e 6 mostra të dyshuara për COVID-19.