Kryeministri Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se ka takuar sot komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, me të cilin biseduam për zhvillimet politike në vend si dhe pandeminë.
Hoti thotë se temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave, ku pohon se ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Hotit:
Brenda pak ditësh, takova për të dytën herë Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi, me të cilin biseduam për zhvillimet politike në vend, si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë #COVID19, duke përfshirë këtu edhe bisedën për projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat janë pjesë e pakos së rimëkëmbjes.
Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave, ku theksova nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar në orientimin e tyre euroatlantik, prandaj është e rëndësishme që edhe Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e nevojshëm, që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës.
Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa z. Varhelyi më siguroi se Kosova është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie.