Janë të shumtë shqiptarët e suksesshëm në vendet e ndryshme të botës, por ku vendosin rekorde, ata mbahen mend. Elina Zhengo është një prej sportistet e suksesshme në vendin fqinj, Greqi. Një atlete shqiptare që sapo ka thyer një rekord botëror për U-20 në hedhje shtize, duke përfaqësuar shtetin helen.
Elina ka lindur në Greqi nga emigrantë shiptarë që kanë kërkuar një jetë më të mirë në vendin fqinj. Në një intervistë për mediat greke, ajo ka folur për këtë sukses të sajin, por edhe për objektivin e rëndësishëm që i kishte vënë vetes.
“Kam lindur në Selanik. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. A ndjehem greke? Sigurisht që po. Unë kam lindur në Greqi, jam rritur këtu, kam qenë në shkollë këtu. Jam greke, ashtu si jam edhe nga Shqipëria. Por ndjehem më shumë greke, pasi kam jetuar gjithë jetën time këtu.
Kur theva rekordin, mamaja e priste, pasi besonte tek unë. Sigurisht që kishte emocione. Prindërit e mi kanë kaluar momente të vështira. I telefonova nga stadiumi dhe ata kërcyen nga gëzimi. T’u dhuroja atyre gëzim, ishte gjithçka për mua, më dukej sikur po e bëja për ata se kanë kaluar shumë vështirësi.
Babai im ishte polic në Shqipëri, nëna ime ishte mësuese. Kur ata erdhën në Greqi, për shkak të krizës në Shqipëri, babai im punonte në ndërtim dhe mamaja pastronte shtëpi. Dhe ajo vazhdon ende të pastrojë shtëpi…I kam premtuar se ajo nuk do ta bëjë më kurrë këtë punë, sepse unë do të arrij deri aty sa me paraqitjet e mia ta siguroj që të mos punojë kurrë më”, – ishte premtimi i Zhengos e cila duket në rrugë të mbarë për ta përmbushur atë.