-1.2 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

AAK dhe LDK me qëndrime të kundërta për punën e zgjedhjes së presidentit

Rekomandime

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, dje ka bërë publike synimet e tij për t’u zgjedhur presidenti i vendit. Megjithatë për atë se kur dhe si duhet të zgjidhet presidenti ka mospajtime mes AAK’së dhe LDK’së.

- Advertisement -

Deputetja e LDK’së, Valentina Bunjaku, në një intervistë për FRONTAL ka thënë se për partinë e saj nuk është prioritet puna e zgjedhjes së presidentit, ndërkohë Rasim Selmanaj i AAK’së thotë se do të ishte mirë që diskutimet të fillojnë sa më shpejtë që është e mundur.

Deputetja Bunjaku ka lënë të kuptohet që edhe partia të cilës i takon do të synojë që të marrë pozitën e presidentit, duke thënë se kanë kuadro të kualifikuar për atë pozitë. Megjithatë, ajo thotë se për momentin s’ka diskutime të tilla brenda strukturave të partisë.

“Për LDK’në nuk është prioritet çështja e zgjedhjes së presidentit. Deri tani nuk është diskutuar për emrin e presidentit. Pa u diskutuar në struktura, nuk do të ketë ndonjë emër. LDK ka shumë emra që mund të jenë kandidat për president, por po iu them që nuk e kemi prioritet për momentin”, ka thënë Bunjaku.

- Advertisement -

Ajo ka shtuar se janë legjitime ambiciet e secilit që dëshiron të zgjedhet president, por thekson se për një punë të tillë duhet të diskutojnë liderët e partive.

“S’kemi problem në koalicion. Ambiciet janë legjitime të secilit, por kur vije puna e zgjedhjes së presidentit, atëherë liderët duhet të ulen dhe të diskutojnë”, ka përfunduar deputetja nga Gjilani.

- Advertisement -

Ndryshe nga deputetja e LDK’së, Rasim Selmanaj i AAK’së thotë se është shumë e rëndësishme që të fillohen diskutimet për punën e presidentit, pasi që ka rrezik të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit.

Ai thotë se është momenti që të fillojnë bisedimet për pozitën e të parit të shtetit.

“Është domosdoshmëri që të gjitha subjektet që jemi pjesë e koalicionit ta diskutojmë për punën e presidentit. Sepse nëse ne nuk mbërrijmë t’i sigurojmë votat, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por bazuar në situatën, pres që të negociohet. Por mendoj që është momenti t’i nisim bisedimet, për të parë se kur do ta kemi presidentin”, ka thënë Rasim Selmanaj.

Lajmin se Haradinaj dëshiron të bëhet president nuk e kanë pritur mirë nga Partia Demokratike e Kosovës. Sipas tyre nuk është etike që të flitet për një pozitë të tillë derisa Kosova ka presidentin e saj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit