Kosova, i pari vend mysliman që hap ambasadë në Jerusalem
Mediat izraelite e kanë argument kryesor marrëveshjen e arritur dje në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë.
‘Haaretz’ vazhdon të nënvizojë se Serbia bëhet i pari vend evropian që pranon të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem.
Kurse ‘Jerusalem Post’ dhe të tjera media e vënë theksin te deklarata e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ky i fundit e theksoi se Kosova është i pari vend mysliman që do të hapë ambasadë në Jerusalem.
Ndërsa gazeta ‘Times of Israel’ thekson se mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës u zhvendosën edhe në Izrael.
Ajo raporton se presidenti Aleksandër Vuçiç nuk kishte pranuar që të telefononte Izraelin që të kërkonte njohjen e Kosovës.
Vuçiç thotë se ka pasur një përplasje të madhe për këtë çështje dhe ai ka deklaruar se nëse Izraeli dhe Prishtina bien dakord, atëherë në rregull.
Gazeta nënvizon se gjithçka është arritur falë vullnetit të presidentit amerikan Donald Trump, që po lufton për të përmirësuar situatën e Izraelit në planin ndërkombëtar.