Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistë tjerë shëndetësorë të Kosovës dje kanë protestuar, në shenjë pakënaqësie për mos rritje të pagesës së ndërrimeve të natës, rrezikshmërisë në punë, orëve shtesë dhe mos ekzekutimit të shtesave në pagë prej 300 eurove.
Madje këto kategori kanë paralajmëruar grevë në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre.
IndeksOnline ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të pyetur me këtë çështje.
Nga zyra për komunikim në MSH për IndeksOnline kanë thënë se tashmë Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna kanë marrë shtesa prej 300 eurove.
Ndërsa, punëtorët shëndetësor në QKUK dhe spitalet e përgjithshme do t’i marrin me pagën e shtatorit për dy muaj nga 300 euro.
“Kujdesi parësor Shëndetësor-Komunat (QKMF-të) i kane marrë shtesat nga 300 euro.
SHSKUK (QKUK dhe spitalet e përgjithshme do t’i marrin me pagën e shtatorit për dy muaj nga 300 euro, pasi që, listat për ta janë proceduar, por ka pasur disa korrektime që është dashur të bëhen në listat e formuara nga menaxherët, me qellim që listat finale të jenë në përputhje me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili thotë qe duhet të paguhen mjekët, infemierët dhe teknikët të cilet janë në shërbimet që merren drejtpërdrejt me pacientët me Covid-19”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në seancën e Kuvendit sot ka thënë se profesionistët shëndetësorë do t’i marrin pagat e shtatorit me shtesë deri në përfundim të pandemisë.