Është e njohur se mbreti Millutin, në vitin 1307 përvetësoi edhe kishën katedrale të Shën Premtes (serbët i thonë Bogorodica Levishka) në Prizren e cila ishte selia e Ipeshkvisë së Prizrenit. Kisha e Shën Premtes është ngritur mbi tempullin e periudhës romake e të bazilikave të shekujve V-VI. Ajo ishte selia e Ipeshkvit të Prizrenit e cila daton që në vitin 1019.
Kisha e Shën Premtes në Prizren është një ndër monumentet e rëndësishme të thesarit të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Është e vendosur mbi bazën e kishës së mëhershme trianiatëshe të shekujve XI e XII dhe të atyre paraprakë. Trajtën e sotme kisha e fitoi përmes rindërtimit të mbretit serb, Milutinit (1307), i cili ia ndryshoi emrin, duke ia përkushtuar të ngriturit të Zonjës në qiell. Në shekullin XVIII u shndërrua në xhami dhe u rikthye sërish në kishë, në vitin 1912, shkruan Edi Shukriu, në “Kisha e Shën Prendes Prizren”, shkruan KOHA.
Kisha e Shën Premtes që s’u takon vetëm serbëve
Për kishën e Shën Premtes janë dhënë mendime të ndryshme para hulumtimeve arkeologjike të viteve 1950-1952. Kështu, F. Mesenel shkroi se kisha i përket një kishe të vjetër të periudhës bizantine.
Arkitekti Dj. Boshkoviq, duke pohuar praninë e kishës së vjetër trianiatëshe në kohën e mbretit Milutin, ofroi dy versione për gjendjen e dikurshme të kishës në relacion me veprimet ndërtimore në shekullin XIV. E para, mbreti Milutin e gjeti kishën bizantine tërësisht të rrënuar dhe e rindërtoi, dhe se mbreti Milutin e rindërtoi kishën bizantine nga bazamenti i vjetër, ndërsa pjesët e tjera u shtuan gjatë gjysmës së shekullit XIV, shkruan Shukriu. Kjo kishë mban disa emra të ndryshëm që u përdorën në kohë dhe gjuhë të ndryshme gjatë gjithë jetës së kishës e që janë: shqip: Shën Prenda, Shën Prena/Shëneprena, Shën Premtja, kisha greke; serbisht: Sveta Petka, Sveta Bogorodica, Levishka; turqisht: Xhuma Xhamia. Emrat e ndryshëm të kishës së Shën Premtes janë njëkohësisht shprehje e lashtësisë së saj dhe e shtresimeve kulturore të objektit sakral, gjithnjë duke ruajtur emrin bazë të kishës, Shën Prenda-Shën Premtja. Ekzistimin e kishës së mëparshme e dëshmon edhe mbishkrimi i vendosur në pjesën lindore të kishës, në të cilën shkruan “…e ripërtëriu nga themelet Kral Stefan Uroshi, dhëndri i mbretit grek, kir Andronik Paleologu”.
Përvetësimi nga serbët i monumenteve mesjetare arbërore në Kosovë
Hulumtimet arkeologjike e arkitekturore i bëri studiuesi S. Nenadoviq gjatë viteve 1950-1952. Ai ka konstatuar tri faza të ndërtimeve: bazilika e hershme bizantine, bazilika bizantine e shekullit XIII dhe kisha e rindërtuar e vitit 1306/07. Në kartën e Stefan Deçanit thuhet: “Kisha e Shën Prenës (Shën Premtes) ka ekzistuar që nga kohërat e mbretërve të stërlashtë”, citon Shukriu. Hulumtuesi S. Nenadoviq, që udhëhoqi punët rreth restaurimit dhe konservimit të saj gjatë viteve, sipas Shukriut, duke theksuar praninë e fragmenteve më të vjetra dhe të monumenteve të krishterimit të hershëm thotë: “…duhet të parashohim se kjo kishë ndoshta është ndërtuar mbi një tempull edhe më të vjetër, sepse nuk janë zhvilluar hulumtimet në atë masë që të jemi të sigurt se nën këtë kishë të vjetër nuk ekzistojnë themele edhe më të vjetra”. Po ashtu, edhe J. Jastrebov konfirmon faktin se ky manastir “është i kohës paraserbe”. Për rindërtimin e Kishës së Shën Premtes mbi themelet e një tempulli pagan duhet cekur se kryepeshkopi Danilo e quan mbretin Milutin “ndërtimtar dhe ripërtëritës të tempujve të rrëzuar e të rrënuar”. Fakt mbi ekzistimin e kishës së mëparshme është edhe mbishkrimi i vendosur në të cilin shkruan. “…e ripërtëriu që nga themelet mbreti Stefan Uroshi…”.
Serbia “mbron” kishat e manastiret në Kosovë me interpretim të njëanshëm
Sipas hulumtimeve arkeologjike e historike nga studiuesja E. Shukriu, vërtetohet se zhvillimi i Kishës së Shën Premtes në Prizren kishte nëntë faza të zhvillimit, duke konstatuar se ky tempull ka ekzistuar edhe para periudhës romake deri më sot. Në kohën e sundimit otoman, në vitin 1756, kisha u shndërrua në xhami. Nga kjo kohë, godina sakrale e Shën Premtes u quajt xhamia e Fatih Sulltan Mehmedit. Në popull u ruajt me emrin Xhuma Xhamia (Xhamia e së Premtes). Në vitin 1912, pas hyrjes së ushtrisë serbe në Prizren, xhamia u shndërrua sërish në kishë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.