Ndërmjetësimi amerikan në dialogun Kosovë-Serbi në Bashkimin Evropian po shihet si ndihmesë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Nga Brukseli kanë deklaruar për Gazetën Express se nuk i komentojnë më shumë marrëveshjet bilaterale në mes të Prishtinës dhe Beogradit derisa, bëjnë me dije se së shpejti do të njoftojnë për raundin e ri të bisedimeve.
Miliarda dollarë investime janë premtuar në Kosovë e Serbi nga delegacioni amerikan që është duke vazhduar vizitën në rajon, pas marrëveshjes së 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Normalizimi ekonomik është në fokus të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa, në SHBA sidomos muajt e fundit e kanë shtuar angazhimin për pajtimin e paqes Kosovë-Serbi.
Derisa Amerika është fokusuar në normalizimin ekonomik, paralelisht dialogu është duke vazhduar edhe në Bruksel.
Në Bashkimin Evropian, zëdhënësi për Politike të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka thënë për Gazetën Express se marrëveshjet e nënshkruara janë bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshjet të cilave ju po iu referoheni janë marrëveshje dypalëshe të Serbisë dhe Kosovës me zotimet e tyre përkatëse ndaj Shteteve të Bashkuara. Kjo nuk na përket neve që ta komentojmë”, thotë zëdhënësi i BE’së.
Stano megjithatë shton se lidhja e këtyre marrëveshjeve me bisedimet që po zhvillohen në BE dhe aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë janë shpjeguar nga liderët e dy vendeve.
Bashkimi Evropian vlerëson se marrëveshjet e SHBA’së mund të ndihmojnë për normalizim të marrëdhënieve që mund të çojë drejt marrëveshjes përfundimtare.
“Dokumentet e nënshkruara në Uashington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme në dialog të ndërmarra nga të dyja palët mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, bëjnë të ditur në Bashkimin Evropian për Gazetën.
Nga Brukseli i kanë konfirmuar Express’it se data dhe agjenda e takimeve të ardhshme në nivel të ekspertëve dhe në nivel të liderëve do të bëhen të ditura së shpejti.
Angazhimi amerikan dhe takimi i 4 shtatorit në Uashington, sipas Eugen Cakollit nga KDI tregon për vëmendjen e shtuar që ka administrata e presidentit amerikan Donald Trump për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas Cakollit, nëse shikohen zhvillimet e fundit lidhur me Kosovën atëherë ka pasur një ndryshim esencial në qasjen e përdorur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve.
“SHBA-ja ka qenë në vazhdimësi akteri i cili ka qenë i përkushtuar në zgjidhjen e çështjeve të mëdha të karakterit politik. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, bazuar edhe në vet përvojën e saj, ka qenë e orientuar në qasjen neofunksionaliste dhe inkrementale të zgjidhjes së problemeve, duke i dhënë prioritet çështjeve ekonomike dhe atyre teknike, integrimi dhe bashkëpunimi në të cilat, sipas tyre, do të sjellë tek aspekti politik. Megjithatë, tash kemi pasur një ndryshim polesh në këtë drejtim, me SHBA-të që tashmë janë të fokusuara në çështje ekonomike dhe atyre teknike, ndërsa BE-ja në çështjet politike, që në fakt janë edhe më të ndjeshmet në këtë proces”, thonë nga KDI për Gazetën Express.
Të hënën në Kosovë ka qëndruar një delegacion amerikan që gjatë të martës ka vizituar edhe Beogradin. Në kryeqytetin serb është arritur edhe një pajtim për krijimin e një grupi punues të përfaqësuesve të Odave Ekonomike të dy shteteve, të cilët do të bëjnë edhe monitorimin e projekteve të marrëveshjeve të arritura.
Takimi i fundit i mbajtur në Bruksel ndërkaq ka qenë në nivel të ekspertëve.
Koordinatori i Kosovë për dialogun, Skender Hyseni deklaroi se përfaqësuesit e Serbisë kishin tentuar që temë e diskutimit të jetë edhe Asociacioni i komunave serbe. Hyseni ka deklaruar se një gjë të tillë e kanë kundërshtuar kategorikisht.