Ish-kryetari i Skenderajt nga radhët e PDK-së, Sami Lushtaku, i ka reaguar liderit të LVV-së, ish-kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit tha se nuk mund të ndalet Gjykata Speciale dhe se fajësoi PDK-në e LDK-në për themelimin e kësaj gjykate.
Në një shkrim në Facebook, Lushtaku shkroi se ‘për ta mbrojtur një vlerë, atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmohesh se sadopak e ndjen atë, e kjo sipas tij i mungon Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje’.
“Të gjithë ata që prej nga paslufta e deri sot, me akuzat e tyre ia vendosën themelet çdo gjykate që synonte të njolloste UÇK-në, tani përnjëherë po na prezantohen si gardianët e luftës dhe luftëtarëve. “Mbrojtja” e tyre nuk është asgjë tjetër përveçse një kor kopallash e demagogjishë neveritëse”, thotë Lushtaku,
Ai thekson se UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti.
“UÇK-ja është vlerë sublime, simbol i përhershëm, histori e pashlyeshme dhe amanet i të rënëve për liri”.
“Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njejtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi”, shton ai.
Lushtaku shkruan se mençuria pas kuvendit e trimëria pas beteje nuk kanë asnjë vlerë, përveç për demagogët dhe frikacakët.
“Ne të gjithë duhet ta ruajmë UÇK-në nga pretendimet monstruoze të gjykatave dhe njëkohësisht nga këta “gardianët” që zhurmën e tyre nuk e kanë të sinqertë. UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike. Të tillët duhet të turpërohen nga UÇK-ja, nga të rënët dhe familjet e dëshmorëve”, ka shkruar Lushtaku.