Pas më shumë se 5 vjet prej kur u themelua nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale këtë të hënë ka nisur procesin e parë ndaj një ish-luftëtari të UÇK-së, i cili po dyshohet për krime lufte.
Bëhet fjalë për Salih Mustafën, i njohur gjatë luftës me nofkën “Cali”, i cili është paraqitur të hënën para kësaj gjykate, në orën 15:00. Mustafa vendosi që të mos deklarohet rreth fajësisë.
“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, ka thënë ai gjatë paraqitjes së parë në Hagë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, seancë e cila zgjati rreth 30 minuta.
Paraprakisht atij i është lexuar aktakuza dhe më pas të drejtat. Ish-luftëtari i UÇK-së ka treguar se avokati që e përfaqëson në seancë do të jetë avokat i tij gjatë tërë procesit.
Mustafa, u arrestua më 24 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi Gjykata Speciale ia kishte konfirmuar aktakuzën qysh në qershor të këtij viti.
Ai akuzohet për një veprat penale, si ‘ndalim arbitrar’, ’trajtim mizor’, ‘torturë dhe vrasje të paligjshme’.
E, këtë të hënë është intervistuar edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku në Prokurorinë e Specializuar në Hagë.
Çeku bëri paraqitjen e tij të parë para Prokurorit të Specializuar, pas ftesës që iu bë kohë më parë për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.
Derisa Visar Ballovci ish-ushtar i UÇK -së është i ftuari i radhës nga Specialja. Ai do të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit më 12 tetor.