Partia Demokratike e Kosovës ka mbetur në mes të dy zgjedhjeve. Në njërën anë është propozimi për një qeveri gjithëpërfshirëse derisa në anën tjetër partia e Albin Kurtit ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti. Cilën anë do ta mbajë PDK-ja, apo do të zgjedhë qëndrimin në opozitë?
Qeveria Hoti nuk është duke arritur të sigurojë votat që i duhen në Kuvend për të kaluar projektligje. Tash e sa kohë është duke u diskutuar për mundësinë që në ekzekutiv të bashkohet edhe partia e Kadri Veselit. Megjithatë, PDK-ja deklaron se nuk kanë diskutuar në organe të partisë për këtë çështje.
Kështu ka deklaruar në emisionin Frontal në T7, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.
“Në organet e PDK-së nuk është diskutuar kjo çështje, po sigurisht se gjithmonë në politikë ka biseda pozitë – opozitë për rikonfigurim ndryshim”, ka deklaruar ai.
Derisa mundësia që Qeverisë t’i bashkohet PDK-ja nuk e ka gjetur edhe pajtimin e AAK-së, tashmë ka nisur mbledhja e nënshkrimeve që mund ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin Avdullah Hoti.
Edhe me këtë skenar të LVV-së nuk është bashkuar ende PDK-ja. Në këtë subjekt thonë se do t’i bashkohen mocionit, vetëm nëse partia e Albin Kurtit arrin t’i sigurojë votat që i duhen për ta dërguar mocionin për votim në seancë.
“Kur diskutohet për mocione duhet të diskutohet çka përtej mocionit, e jo me bo një mocion e me dalë para mediave me njoftu qe e bona mocionin merre ose leje. Ose me bo përpjekje që ma tepër me bo luftë me partitë opozitare sesa me Qeverinë. Kur bëhen 40 nënshkrime na i japim votat”, ka thënë Hamza në T7.