10.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Osmani: Do të rikthehem fuqishëm, për ta ç’kapur vendin nga strukturat uzurpuese!

Rekomandime

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, ka shkruar një status në llogarinë e saj Facebook.

- Advertisement -

Ajo thotë se zgjedhjet e vitit të kaluar, shënojnë kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit, derisa me votën e tyre, qytetarët treguan se s’duan të jetojnë në një shtet që u shërben vetëm një grushti njerëzish.

“Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme.

Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar”, shkruan Osmani.

- Advertisement -

Ajo tutje thotë se edhe pse është e zhgënjyer me sjelljen e politikanëve, është e lumtur që po vazhdon të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të saj.

“Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë”, përfundon shkrimin Osmani.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit