Historiani Frashër Demaj ka thënë dje se kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), Mehmet Kraja, se ia ka huq me deklaratat e tij në lidhje me Projektin e Historisë së Përbashkët të CDRSEE-së, pasi Kraja kishte thënë se në vitin 2005 ka qenë një grup i historianëve që kanë bërë korrigjime, ku pushtuesi serb është zëvendësuar me pushtetin serb.
Demaj mbrëmë në një emision televiziv tha se e gjithë kjo është luftë speciale, pasi janë zgjedhjet në akademi dhe kjo është luftë speciale me motive politike.
Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Mehmet Krajës, i cili tha se asnjëherë nuk ka zhvilluar luftë speciale kundër ndokujt.
“Madje duke i projektuar reagimet edhe si “luftë speciale” apo “luftë politike” kundër tij. Duke qenë anëtar i Akademisë që një kohë relativisht të gjatë dhe në këtë rast duke qenë edhe kryetar i saj, më duhet të them se në këto pothuajse njëzet vjet nuk mbaj mend të jetë zhvilluar luftë “speciale” as “politike” kundër dikujt, për t’u pranuar ose për t’u avancuar në këtë Akademi”, tha Kraja.
Reagimi i plotë i Krajës:
Duke qenë se mbrëmë në një emision të TV Dukagjinit jam apostrofuar disa herë, përfshirë edhe Akademinë, kryetar i së cilës jam aktualisht, ndjej obligim të reagoj si më poshtë:
1. Lidhur me projektin “Mësimdhënia e historisë bashkëkohore e Europës Juglindore”, që është bërë nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore (CDRSEE) para një viti, kur nuk kanë qenë afër zgjedhjet në Akademi, unë kam deklaruar për gazetën “Koha ditore”, citoj:
“Një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë më të re të Kosovës, nga e cila hiqen masakrat serbe dhe toponimet e Kosovës bëhen serbisht! Përgjegjësia për shkarje të këtilla nuk mund të ndalet te individët me mendje të turbullt dhe të korruptuar, por duhet të marrë përgjigje institucionale: Ministria e Arsimit dhe Instituti i Historisë nuk guxojnë ta bëjnë këtë, nuk mund të livadhisin në këtë mënyrë mbi historinë tonë, sepse janë institucione të Kosovës, që duhet të mbajnë përgjegjësi. Tani duket një makiavelizëm i shëmtuar, nëse thua se nuk t’u kanë marrë parasysh vërejtjet, por nuk distancohesh nga projekti, madje merr pjesë në panel, kur bëhet promovimi i botimit të tij. Brengos fakti se këta njerëz, sapo përballen me kritikë ose përgjegjësi publike, përmes një retorike djallëzore, por banale në substancë, i lajnë duart nga përgjegjësia si Ponc Pilati dhe na dalin patriotë të thekur!”
Kësaj që kam thënë para një viti, mund t’i shtoj edhe paaftësinë dhe paditurinë brengosëse për të argumentuar edhe ato çështje që janë të njohura botërisht, përtej çdo dyshimi, siç është masakra e Reçakut.
2. Lidhur me deklaratën time në “Klan Kosova” për ndërhyrjet në tekstet e historisë, në të cilën unë ia paskam “huqur” fort, dua t’i ofroj opinionit faksimilen e një dokumenti me datë 31.03.2003, nënshkrues të të cilit janë një “komision profesional i caktuar nga MASHT-i”, që propozon ndryshime në tekstet përkatëse të historisë, sipas vërejtjeve të Këshillit të Evropës. Sikundër mund të shihet nga faksimilja, ndërhyrjet bëhen me konotacion të qartë: “pushtuesi serb” zëvendësohet me “pushteti” ose hiqet krejt, në shumë vende “serb” zëvendësohet me “shtetëror”, fjala “antiserbe” hiqet, diku hiqet edhe “ushtria serbe” dhe “pushtimi serb”.
Në të vërtetë, krejt kjo “mrekulli” e komisionit reduktohet në një pikë: pra “pushtimi i Kosovës nga Serbia” të zëvendësohet me “pushtetin e Serbisë në Kosovë”, që merr domethënien se Kosova nuk ishte e pushtuar nga Serbia, se Kosova nuk luftoi për çlirim, por luftoi kundër pushtetit të Millosheviqit dhe gjepura të këtilla! Burrave dhe grave të këtij komisioni edhe sot, pas 17 vjetësh duhet t’ju them zëshëm, që ta kuptojnë një herë e mirë: ndërhyrjet e këtilla në tekstet e historisë deformojnë në substancë historinë e Kosovës, me të gjithë përbërësit e saj, se lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë ka qenë luftë çlirimtare dhe jo “luftë për të drejta të nëpërkëmbura nga pushteti”, se kjo luftë nuk mund të jetë objekt këndvështrimesh midis krahëve të ndryshëm politikë në Kosovë! (Këtij teksti po ia bashkëngjes faksimilen e dokumentit, me shpresë së portalet do ta sjellin të plotë.) 2
3. Jam thellësisht i habitur (por jo i tronditur, sepse bëhet fjalë për një të pavërtetë!), që reagimet për dështimet e tij në tekstin alternativ të historisë së Ballkanit, Frashër Demaj i lidh me Akademinë, me zgjedhjet dhe avancimet që së shpejti do të bëhen në këtë institucion, madje duke i projektuar reagimet edhe si “luftë speciale” apo “luftë politike” kundër tij. Duke qenë anëtar i Akademisë që një kohë relativisht të gjatë dhe në këtë rast duke qenë edhe kryetar i saj, më duhet të them se në këto pothuajse njëzet vjet nuk mbaj mend të jetë zhvilluar luftë “speciale” as “politike” kundër dikujt, për t’u pranuar ose për t’u avancuar në këtë Akademi.
Pra, është një shpikje dhe trillim i kulluar, për të mbuluar një dështim. Dhe, po të jetë se unë mund të jem i përfshirë në një “luftë” të tillë, jam i lirë të them botërisht se, po të ishte për votën time, Frashër Demaj nuk do të bëhej anëtar i Akademisë! Mehmet Kraja (Në vazhdim faksimilja e dokumentit për ndërhyrjet në tekstet e historisë).