Banesa, para të gatshme e vetura, janë vetëm disa prej pasurive që kanë deklaruar gratë e politikanëve kosovarë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Express u sjell detaje rreth pasurisë që ka deklaruar gruaja e Presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Avdullah Hoti, Albin Kurtit, Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit.
Rita Augestad Knudsen është shumë më e pasur sesa bashkëshorti i saj Albin Kurti.
Ajo ka deklaruar në pronësi të saj një apartament në vlerë prej 400 mijë euro.
Asaj nuk i mungojnë as paratë e gatshme nëpër banka. Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Kurti ka deklaruar se bashkëshortja e tij posedon në një bankë në Oslo të Norvegjisë rreth 10 mijë euro.
Por, ajo ka edhe një kredi me kohëzgjatje 25 vite. Vlera e kësaj kredie është 242 mijë e 224 euro, të cilën thotë ta ketë marrë për blerje të apartmentit.
Të hyrat vjetore të bashkëshortes së Kurtit sillen rreth 50 mijë euro, që i merr nga puna që bën në Norvegji.
Me pasuri nuk qëndron keq as gruaja e Presidentit Hashim Thaçi, Lumnija.
Ajo ka në pronësi të përbashkët me Presidentin dy shtëpi në vlerë rreth 400 mijë euro, si dhe një tokë bujqësore që kushton 180 mijë euro.
Tek pasuritë e luajtshme, Lumja ka deklaruar një veturë Audi Q3, që thotë ta ketë blerë nga shitja e veturës paraprake dhe me kredi, derisa si para të gatshme në banka i ka deklaruar 2 mij ë e 141 euro.
Por, zonjës së parë të vendit nuk i mungojnë edhe borxhet ndaj bankave.
Ajo ka marrë një kredi në vlerë prej 10 mijë euro për blerjen e veturës, e që pritet ta paguajë tërësisht më 26 nëntor të këtij viti.
Të hyrat e saj vjetore sillen rreth 20 mijë euro, të cilat i merr si pagë vjetore nga Universiteti i Mitrovicës.
Për nga paratë qëndron mirë edhe bashkëshortja e Kadri Veselit, Violeta.
Gruaja e ish-kryeparlamentarit Veseli, ka deklaruar pasuri të paluajshme në vlerë prej 183 mijë euro.
Përveç pasurisë së paluajtshme në vlerë mijëra euro, ajo ka të ruajtura në banka rreth 10 mijë euro, derisa merr të hyra vjetore në vlerë prej 20 mijë euro nga Ministria e Arsimit, Shkencën dhe Teknologjisë, si dhe nga një kompani private.
Ndërkohë, më “ligësht” i ka punët gruaja e kryeministrit Avdullah Hoti.
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë të publikuar nga Hoti në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ka deklaruar tri banesa në pronësi të përbashkët me të, e që kushtojnë mbi 200 mijë euro.
Si para të gatshme i ka deklaruar 1 mijë e 311 euro, derisa bashkë me Hotin kanë një kredi në vlerë 21 mijë euro.
Të hyrat e saj vjetore sillen rreth shtatë mijë euro që i merr nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Fort pasuri nuk ka deklaruar as gruaja e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, Anita. Përveç pasurive që ka në bashkëpronësi me Ramushin, në emër të saj e ka vetëm një veturë në vlerë prej 8 mijë euro.
Por, të hyrat e saj vjetore nuk janë të ulëta. Ajo merr 32 mijë euro në vit si pagë nga RTK’ja, një kompani e sigurimeve dhe një kompani e marketingut.