10.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Sondazhet në SHBA alarmojnë Serbinë për Kosovën

Rekomandime

Kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se tema e Asociacionit është e mbyllur dhe se për të nuk do të diskutohet në Bruksel.

- Advertisement -

Në anën tjetër, Lista Serbe ka kërcënuar me largim nga Qeveria, nëse Kosova nuk e formon Asociacionin sipas marrëveshjes së Brukselit.

E për këtë, Hoti ka thënë se nuk punon me kërcënime.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se fakti që Biden prin ndaj Trump në sondazhe e ka alarmuar Serbinë dhe pasi nuk mund ta ndajë Kosovën, dëshiron ta formojë një “Republika Srpska” edhe në Kosovë.

- Advertisement -

“Fakti se në sondazhet më të reja, nga SHBA kandidati demokrat Joe Beiden (Biden) prin deri më 10 pikë përpara presidentit Trump, e ka vënë në alarm të madh Serbinë, e cila pas humbjes së shansit për ta ndarë Kosovën, tani po këmbëngulë me çdo mënyrë dhe mjet që të paktën, para se të mbahen zgjedhjet në Amerikë, ta formojë një “Republika Srpska” edhe në Kosovë. Ta formojë një „Republika srpska“, njëjtë si në Bosnjë, në mënyrë që përmes saj, më vonë ta ndajë Kosovën, nga frika se po fitoi z. Beiden të cilin e mbështesin dhe favorizojnë pothuajse të gjitha vendet më të fuqishme të BE-së, në bisedimet me Serbinë do të favorizohej Kosova, dhe Serbia nuk do të arrinte më ti bëjë vendit tonë shantazhe e obstruksione kaq të paskrupullta dhe banale”, është shprehur ai.

Sipas tij, me futjen në qeveri të Listës Serbe, ajo u bë dorë e zgjatur e Serbisë, duke ndikuar në institucionet më të larta e jetike të shtetit tonë.

- Advertisement -

“Madje në kuadër të fushatës më të egër që kohët e fundit, sërish ka rinisë Serbia kundër shtetit tonë të lirë dhe tërësisë territoriale të Kosovës, fillimisht prej të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, zyrë nga e cila çdo e keqe dhe rrezik për vendin, e ka burimin dhe zanafillën, u deklarua drejtor i ri i saj, Petar Petkoviq, i cili pas një takimi të thirrur me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të mbajtur në Beograd, u shpreh se nëse Kosova nuk e zbaton Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar me 2013 nga Hashim Thaçi dhe më 2015 edhe nga Isa Mustafa, Serbia do të kërkojë daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës. Të njëjtat fjalë i përsëriti (si papagall) edhe Goran Rakiqi , i cili duke pasur parasysh faktin se prej momentit të formimit të “Listës serbe” nga Aleksandër Vuçiq dhe përjashtimit në koordinim me Hashim Thaçin, të të gjitha partive tjera politike të serbëve vendor, “Lista serbe” jo vetëm se u imponua si subjekti i vetëm përfaqësues për serbët në Kosovë, por edhe u shndërrua plotësisht në dorë të zgjatur të Serbisë, duke u involvuar drejtpërsëdrejti deri në institucionet më të larta e jetike të shtetit tonë, si Qeveria e Kosovës, në të cilën së fundmi Goran Rakiqi u zgjodh edhe zëvendëskryeministër i parë”, ka thënë ai.

Qarri shton se këto veprime të serbë nuk janë të parat e as të fundit dhe janë të koordinuara me Beogradin, por që sipas tij ky kërcënim nuk përbën kurrfarë rreziku ndaj Qeverisë.

“Kështu që veprimet e Listës serbe, grupim politik mbi të cilin Vuçiq mban të gjithë kontrollin dhe me direktiva të tij, kjo “listë” zhvillon lirisht aktivitet të hapur publik brenda Kosovës dhe kundër interesave të shtetit tonë, si dhe aktet e Goran Rakiqit, nuk janë të parat as të fundit, si gjithmonë të koordinuara mjaft mirë, me Beogradin zyrtar i cili vazhdon ta dirigjojë komplet këtë subjekt politik për veprime në vazhdimësi kundër shtetit të Kosovës. Por megjithatë, kërcënimi i Listës serbe, e cila që nga formimi, vazhdon të këmbëngul në zhbërjen e Republikës së Kosovës për ngritjen e “Republikës Srpska” mbi themelet e saj dhe tokat më jetike të vendit tonë, edhe nëse Goran Rakiq me bandën e tij, i braktisin institucionet qendrore dhe lokale në rast se nuk formohet, siç thonë ata, së shpejti Asociacioni i komunave me shumicë serbe, aktualisht nuk përbën kurrfarë rreziku as shantazhi vendimtar ndaj Qeverisë së Kosovës, përkundër brishtësisë që për momentin ka kjo qeveri”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

Gani Qarri

Tutje, ai thotë se madje Asociacioni i vitit 2015 është hedhur poshtë nga Kushtetuesja dhe se nëse Lista Serbe del nga qeveria, vetëm se do t’i humbë postet e pamerituara që i mbajnë.

“Madje Asociacioni i formës së nënshkruar më 2015 nga Isa Mustafa është tërësisht kundërligjor, të cilin e ka hedhur poshtë edhe organi më i lartë shtetëror juridik si Gjykata Kushtetuese e Kosovës, akt për krijimin e të cilit, në formë dhe përmbajtje të tillë, nuk mund të insistojë as BE, pasi që me te, jo vetëm që nuk do zgjidhte asgjë, por do të shtonte edhe probleme të reja në vend dhe rajon. Për aq më tepër Goran Rakiq, si marionetë e Vuçiqit vetëm sa përsëriti fjalët e vartësit të tij P. Petkoviq, kinse nëse Kosova nuk e formon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit, “Lista serbe” do të dalë nga qeveria, me çka nuk do të arrinte asgjë dhe vetëm sa do t’i humbnin postet e pamerituara, të larta qeveritare që padrejtësisht mbajnë në qeverinë aktuale të Kosovës”, ka theksuar ai.

Sipas Qarrit, kushdo që përdorë kërcënime të tilla, do t’i shkaktojë dëme vetes, pasi Qeveria mund të riformatohet menjëherë.

“Kështu që cilido që përdorë kërcënime të tilla, për braktisjen e institucioneve të Kosovës nga serbët, qoftë ai edhe Goran Rakiqi, më shumë do t’i shkaktonte dëme vetvetes se sa në realitet që do të mund t’i shkaktonin Republikës së Kosovës, ngase edhe Goran Rakiqi e di se partitë shqiptare përbëjnë shumicën dërmuese të deputetëve në Kuvend, të cilat përkundër fërkimeve ndërmjet vete, para çdo kërcënimi potencial që mund të rrezikojë shtetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovë, brenda pak orësh, do ta riformatonin komplet Qeverinë, për të mbrojtur interesat e Vendit, nga presionet e orkestruara të serbëve jo vetëm në Kosovë, por edhe të ashtuquajturave zyra nga Serbia”, ka thënë ai.

Këto kërcënime ai i quan shqelmat e fundit të kësaj ngrehine antishtetërore dhe i jep të drejtë Hotit për kundërpërgjigjen ndaj tyre.

“Ndaj aktualisht asgjë nuk do të thotë për Kosovën që në Qeveri ka Listën serbe, e cila përpiqet të vendosë edhe kushtëzime për Asociacionin, madje këto duket të jenë shqelmat e fundit të kësaj ngrehine antishtetërore dhe kryeministri Avdullah Hoti, me plot të drejtë u është përgjigjur Goran Rakiqit dhe zyrtarëve hegjemonistë nga Serbia se nuk pranon kurrfarë kërcënimesh, sepse edhe po të largohet Lista serbe nga institucionet, askush në Kosovë nuk është i gatshëm ta rrezikojë shtetin e ndërtuar me kaq shumë mund e sakrifica, për të plotësuar teket e rebelëve serb si Goran Rakiqi, të dirigjuar nga Beogradi, me qëllim për ngritur brenda vendit tonë shtet mbi shtet si “Republika srpska” dhe rreziku Kosovën mbi 21 vite pas çlirimit, sërish me ndarje”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit