Zëdhënësi në Trustin e Kursimeve Pensionale, Jeton Demi, ka treguar detaje mbi ndarjen e 10-përqindëshit nga Trusti në rast se kalon në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike ku përfshihet edhe tërheqja e 10-përqindëshit.
Demi ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se në momentin e kalimit të projektligjit, menjëherë do të fillojë aplikimi i kontributdhënësve për tërheqje.
“Ligji parasheh që aplikimi për tërheqje do jetë në distancë, jo fizik. Kontribuesit nuk kanë nevojë të vizitojnë zyrat e trustit. Pagesa do bëhet vetëm përmes llogarive bankare. Duhet që llogaria bankare të jetë aktive në kohën e aplikimit. Duhet të kenë kontribute dhe aplikimi do jetë me vullnet të lirë. Po përgatitemi që të fillojmë menjëherë pas kalimit në Kuvend. Duhet t’i lëmë rrugë institucioneve për diskutime”, ka sqaruar ai në KTV.
Demi sqaron se aplikimi do të bëhen online teksa bën thirrje që të shmangen zyrat e Trustit dhe të tjerat gjatë kohës së pandemisë për aplikimin për tërheqjen e 10 për qindëshit.
Ai thotë se e gjithë procedura varet nga kalimi ose jo i projektligjit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndërsa shton se aplikimi do të zgjasë për tre muaj që prej miratimit të projektligjit.
“Ligji e kalon hapësirën prej hyrjes në fuqi 3 muaj ditë. Kjo do të thotë se aplikuesit nuk kanë nevojë të nxitojnë, u themi që të kenë durim. Në projektimin e platformës për aplikim e kemi pasë parasysh që të kemi dyndje të aplikimeve, mund të jetë e pritshme, por platforma do ta përballojë. Mund të ketë raste që të mos funksionojë platforma, por do t’ia dalim. Në pjesën tonë të përgatitjes i kemi marrë masat dhe jemi një klik larg për ta hapur aplikimin sapo ligji të hyjë në fuqi”, shton Demi.
Demi ka thënë se nuk do të ketë tatim për qytetarët kur tërheqin këto para, sipas tij sepse “projektligji parasheh që të mos tatohen ashtu që ekonomia të stimulohet”.
Ndërsa thotë se nuk do të ketë kompensim të shumave të mbledhura përgjatë viteve në Trust.
“Në asnjë shumë në ligjin aktual të mos presin se do ketë kompensim të shumave që kanë pasur. Nëse kanë pasur 100 euro dhe tërheqin 10 euro, do të zvogëlohet bilanci i tyre”, ka thënë Demi.
Afati prej 3 muajsh për të aplikuar për tërheqje të 10-përqindëshit, do ta pasojë atë të shpërndarjes së parave nëpër llogari bankare, që sipas Demit do jetë çështje ditësh.
“Projeksionet tona dhe vullneti jonë është që ky proces, aplikimi të jetë çështje sekondash ndërsa kalimi i parave në llogari të jetë çështje ditësh. Por varet nga infrastruktura, sistemi bankar por edhe numri i aplikuesve”, tha ai.
Ai ka folur edhe për një pjesë të popullsisë të cilët kanë përqindje shumë të vogël të kursyer. Sipas tij, kjo është për shkak se “ka tendencë të punëdhënësve që t’i deklarojnë punëtorët me pagë minimale që ndikon tek kontributet e tyre në trust”.
Derisa ka folur edhe për gjendjen e përgjithshme në Trust prej fillimit të pandemisë me COVID-19, Demi ka thënë se “sa i përket kontributdhënësve, rezulton se kemi hendeqe të mëdha nga viti i kaluar”.
“Do dalim me raport më vonë për të krahasuar vitet. Gjithsesi se po, muajt e parë të pandemisë ka ndikuar te numri i kontribuesve. Rezultojnë që në muaj të caktuar të kemi dhjetëra mijëra, 40-50 mijë më pak kontributdhënës se një vit më parë”.